SHBA, 3 nëntor 2011, NOA - Skena botërore duket se do të përfshihet nga një tjetër konflikt i madh. Mediat amerikane dhe angleze bëjnë të ditur se drejtuesit e dy shteteve kanë hartuar një plan për të sulmuar Iranin. Objektivi i SHBA dhe Anglisë është goditja e vendeve të dyshuara për prodhim të bombave bërthamore.
Nisja e punës nga ekipet ushtarake për hartimin e planit të sulmit ka filluar pas konfirmimit të lajmeve nga shërbimet inteligjente për praninë e armëve të shkaërrimit në masë. Dyshohet se Irani ka sasi të mjaftueshme uraniumi për tëė prodhuar deri në 4 armë bërthamore.
Vëmendja e SHBA dhe Anglisë është kthyer drejt Iranit pas përfundimit të konfliktit në Libi. Presidenti Barak Obama ka deklaruar se programi bërthamor i Iranit vazhdon të jetë një kërcënim për botën dhe sidomos për vetë vendet e Lindjes së Mesme. Ndërsa kryeministri anglez Devid Kamerun ka deklaruar më parë se janë të paktën 3 raste, ku rezulton se shërbimet sekrete të Iranit kanë bërë vrasje qytetarëve dhe personaliteteve në vende të huaja, çka përbën një shkelje të të drejtave ndërkombëtare.
Por, cili është plani? Mediat e SHBA dhe Anglisë aludojnë se një pjesë e planit është vënë në zbatim prej kohësh. Një numër i madh forcash të dy vendeve ndodhet i dislokuar në Afganistan dhe në Irak, dy vende që kufizojnë gjeografikisht pjesën më të madhe të kufirit të Iranit. Ndërsa mbështetja me luftë-anije dhe areoplanmbajtëse duket se do të jetë në bregdetin e Izraelit.
Në hartimin e planit të operacionit duket se janë ftuar dhe shërbimet inteligjente të Rusisë dhe Kinës. Por, dy vendet kanë kërkuar që të shtyhet çdo nismë e tillë që mund të krijojë tensione, pa pasur më parë prova konkrete.
Mësohet se dje është bërë prova e parë e hedhjes së një rakete me mbushje bërthamore nga Izraeli për në Iran. Raketat janë të vendosura në zonat ushtarake të Izraelit dhe synojnë të parandalojnë në kohë një sulm të mundshëm nga shteti islamik.
a.k/NOA