Tiranë, 3 Nëntor 2011, NOA- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ka cilësuar ceremoninë e dekorimit të Pjetër Arbnorit nga Presidenti Bamir Topi, si një përdorim të figurës së tij pas vdekjes.
“Jam e bindur se z. Arbnori do të ndjehej i fyer ”, tha Topalli në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan kur u pyet pse mungoi tek ceremonia e dekorimit, duke shtuar se Arbnori sipas saj, u përdor nga Bamir Topi pas vdekjes.
E pyetur për mungesën e demokratëve në këtë ceremoni, Topalli u shpreh se “kreu i shtetit ka marrë një shportë me dekorata dhe po i shpërndan ato në çdo komunë të vendit”.
Duke iu referuar dekorimit të Arbnorit, Topalli shtoi “se ai është një figurë emblematike dhe e vlerësuar nga të gjithë. Unë kujtoj marrëdhëniet personale me Topi dhe Arbnorin, në vitin 2002, kur i ndjeri Arbnori diskutohej si kandidat për President dhe më kujtohet reagimi i z. Topi në atë kohë”.
Kryeparlamentarja ka sulmuar kreun e shtetit dhe për qëndrimin që ai mbajti gjatë ngjarjes së 21 janarit. Sipas saj, ai ka mbështetur në mënyrë të hapur PS-në me “heshtjen për ngjarjen e bulevardit dhe që u finalizua më pas me votën për kryetarin e një partie të majtë”.
E pyetur për motivin e kritikave të saj ndaj Presidentit Topi, Topalli ka theksuar se në qëndrimin e saj nuk ka asnjë qejfmbejtje personale.
“Unë gjatë 15 viteve që njoh z. Topi nuk kam pasur ndonjë herë konflikt personal, ai ka pasur konflikt me Kushtetutën, Parlamentin, etj”, tha ajo.
Për krijimin e partisë së re të kreut të shtetit, komenti i Topalli ka qenë i shkurtër; “Mes 160 partive që janë në vend, ajo do të jetë partia e vetme e tradhtarëve”.
Lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjen e kreut të shtetit, Topalli ka hedhur poshtë mundësin e zgjedhjes në këtë post të liderit socialist, Fatos Nano.
a.k/NOA