Patos, 3 nëntor, NOA - Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë (LDGSH) është një nga forumet politike më aktive në vend, i cili punon për demokratizimin e vendit. kjo është deklarata që ka bërë deputetja e PD-së, Albana Vokshi në Kuvendin e këtij forumi të mbajtur sot në qytetin e Patosit. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetja e Qarkut Fier, Mesila Doda dhe Kryetari i Partisë Demokratike, dega Patos Miti Tapia.
Ky forum zgjodhi dhe drejtuesit e tij. Me shumicë votash, Kryetare e LDG-së së Patosit u zgjodh Pranvera Mahmutaj.
Gjatë fjalës së saj, Vokshi përgëzoi drejtueset e LDG-së Patos për angazhimin e tyre në proceset elektorale dhe në të gjitha proceset demokratike të vendit. Ajo informoi delegatet e pranishme në Kuvend se LDGSH është përfshirë në një proces ristrukturimi dhe se në të gjitha degët e saj po punohet me të gjitha gratë dhe vajzat aktiviste për të qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Gruas.
“LDGSH numëron mbi 10 mijë anëtare dhe se ky numër pritet të dyfishohet në përfundim të të gjithë procesit zgjedhor, ku janë përfshirë të gjitha degët e saj”, tha Vokshi.
Ndërsa deputetja e Qarkut, Fier Mesila Doda falenderoi Lidhjen Demokratike të Gruas, Patos për vëmendjen që i ka kushtuar rritjes së anëtarësisë dhe për përkushtimin e saj për të fituar terren politik edhe në zonat më të vështira të Bashkisë Patos.
Ajo vlerësoi edhe angazhimin e LDGSH-së për të rritur forcën e organizatës dhe rolin e saj në të gjitha proceset demokratike të vendit.
a.k/NOA