Tiranë, 4 Nëntor 2011 NOA/ Altin B. Kodra - Zakonisht kur flitet për sportistët shqiptarë që militojnë nëpër Evropë, që rëndom i kemi emërtuar si “legjionarë”, natyrisht që vëmendja zhvendoset te futbolli. Kjo është e natyrshme kur ke parasysh se futbolli është sporti më popullor në botë, por Shqipëria ka edhe “eksporte” të tjera të suksesshme edhe në sporte të tjera.
Një nga këto është edhe volejbollistja Arjola Prenga, e cila prej disa javësh ka zgjedhur ta vazhdojë karrierën e saj në nivelin më të lartë të këtij sporti në Francë, në Ligën “Pro A”, pasi ka firmosur me skuadrën e “Tërvijë Floronzhë”, që njihet shkurt si TFOC. Megjithatë, kjo aventurë franceze nuk ka nisur ashtu siç do ta dëshironte 25-vjeçarja.
“Nëse do të flisnim në planin personal, duhet të them se jam e kënaqur me lojën time, pasi jam pikëshënuesja më e mirë e skuadrës, me një mesatare që luhatet nga 19, deri në 22 pikë për ndeshje”, - rrëfen Arjona nga Parisi, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.net nëpërmjet komunikimit elektronik.
“Por volejbolli është një lojë që luhet në skuadër dhe shifrat e këtyre 3 javëve të para janë të hidhura, pasi ne i kemi humbur këto 3 ndeshje dhe natyrisht që nuk jam e kënaqur me këtë fillim kampionati”, - pohon Prenga, ndërsa TFOC është mundur dy herë në shifrat 1-3, në shtëpi nga Bezier dhe në fushë të huaj nga Mulhouse, si dhe 0-3 në shtëpi nga Veneje.
Si rrjedhojë, skuadra e Arjolës renditet e parafundit në kampionatin prej 12 skuadrash, duke mos arritur të grumbullojë asnjë pikë në këto 3 javë të para, ndonëse duhet theksuar se këto humbje kanë qenë me rezultate të ngushta në sete. Renditjen e kampionatit francez të volejbollit për femra e kryesojnë pas 3 fitoreve radhazi “Nantë Volej” dhe “Lë Kané”, me nga 8 pikë secila.
Aktualisht, “Liga Pro A” është ndërprerë për shkak të turneve kualifikues të përfaqësueseve për Olimpiadën 2012 dhe ndeshjet e radhës do të luhen më 19 nëntor 2011. Kjo ndërprerje ka qenë në fakt një pauzë e dobishme për Arjolën dhe skuadrën e saj franceze, pasi u jep kohë për rekuperim.
“Përtej faktit që skuadra jonë ka një moshë relativisht të re, lojtaret që kemi këtë sezon nuk kanë luajtur edhe aq me njëra-tjetrën dhe natyrisht që na duhet edhe ca kohë për t’u përshtatur si skuadër, - analizon Prenga. - Dhe kjo ka bërë që edhe rezultatet të mos jenë ashtu siç do të dëshironim.”
Prenga zbulon se ka patur disa probleme muskulore dhe kjo pauzë e kampionatit do ta ndihmojë ta kapërcejë këtë gjendje. “Po bëj vazhdimisht seanca fizioterapie dhe masazhe dhe besoj që do të jem në formë të plotë për ndeshjen e katërt”, - sqaron volejbollistja e Kombëtares kuqezi të rrjetës.
Në javën e katërt, TFOC do të presë në fushën e vet Istrenë, që mban vendin e 3-të në renditje me 7 pikë. “Që të jem e sinqertë, duhet të them se nuk i njoh ekipet kundërshtare, por në ditët që i paraprijnë ndeshjeve, ne na vihen në dispozicion DVD-të e ndeshjeve të skuadrës kundërshtare”, - pohon Prenga.
“Kësisoj, ne kemi mundësi ta studiojmë më mirë ekipin që do të kemi përballë”, - shton ajo. Përtej sportit, aventura franceze e Arjolës ka qenë mjaft e larmishme, duke nisur që nga komunikimi. “Unë nuk flas edhe aq frëngjisht, por fjalët kryesore që më duhen në stërvitje apo në lojë, i kam mësuar”, - rrëfen ajo.
“Me presidentin e klubit, Daniel Mroovksi flas italisht, me pjesën tjetër flas kryesisht anglisht, ndërsa me brazilianen me të cilën jetoj në të njëjtin apartament, flas spanjisht”, - zbulon Arjola. Në fakt, vetëm 4 nga 10 volejbollistet e këtij klubi janë me kombësi franceze dhe këto janë Vanesa Bonakosi, Silvana Daskalu, Anë Në dhe Tifain Sevë.
Ndërkaq, 5 të tjerat, përveç Prengës, janë nga Estonia (Polina Bratuhina), Britania e Madhe (Grejs Karter), Brazili (Zhuliana Da Silva Barrosh), dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Elis Gleb dhe Lora Xhons). “Njëfarë OKB e vogël”, - shton Arjola duke buzëqeshur, teksa e përshkruan skuadrën e drejtuar nga trajneri francez, 49-vjeçari Pompiliu Daskalu.
Pavarsisht avancimit teknologjik në komunikim, falë telefonit, Internetit dhe Facebook-ut, Arjola nuk e fsheh që e merr malli për Shqipërinë dhe mezi po pret dhjetorin, kur do të kthehet në Tiranë. E sidomos tani që motra e saj e madhe është bërë me djalë. “Mezi po pres ta mbaj në duar nipin”, - thotë ajo.
Natyrisht që një tjetër pjesë e rëndësishme e jetës së saj është edhe i fejuari i saj, basketbollisti i mirënjohur, Sokol Kasmi, me të cilin ajo shpalli fejesën pak muaj më parë. “Ç'të them, - thotë Arjola duke u skuqur në fytyrë, - më mungon shumë”. Megjithatë, tanimë misioni i radhës për volejbollisten kuqezi është 19 nëntori dhe shënjestra e radhës, skuadra kundërshtare, Istreja.
“Na duhet kjo fitore për t'u rikthyer në lojë, por edhe për të rigjetur moralin si skuadër”, - përfundon Prenga.
a.k/NOA