English

Berisha: Rritje ekonomike dhe zhvillim i turizmit malor

Librazhd, 4 nëntor 2011, NOA - Kryeministri Berisha inspektoi sot, ecurinë e punimeve në rrugën Librazhd – Fushë Studen, me gjatësi 41 kilometra dhe investim me vlerë 2.8 miliardë lekë. Kjo rrugë lidh Librazhdin me Ostrenin dhe është pjesë e unazës verilindore të vendit. Aktualisht po punohet në dy segmente, përkatësisht me gjatësi 10.5 kilometra dhe 30.5 kilometra.

Pasi u informua nga zbatuesit e projektit për fazat e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i segmentit Ostren - Ura e Cerenecit, me gjatësi 17 kilometra, i cili përmbyll unazën verilindore që nis në Valbonë e përfundon në Librazhd.

një prononcim për mediat, Kryeministri Berisha tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e saj të mëdha ekonomike, së pari turistike, por edhe potenciale të tjera minerare, bujqësore dhe të shumëllojta të kësaj zone.

“Perspektiva e dytë e madhe për ju dhe mbarë Shqipërinë është turizmi malor. Asnjë nga ne që jemi këtu nuk mund të imagjinonte në vitin 2004 apo 2005 se në një hark kohor pesë vjeçar numri i turistëve në këtë vend do të rritej nga 300 mijë në 3.5 milionë. Ju garantoj se me ndërtimin e kësaj infrastrukture, në një hark kohor po kaq të shkurtër, miliona e miliona turistë nga rajoni dhe mbarë bota do të vërshojnë drejt zonave turistike malore të mrekullueshme të Librazhdit, Peshkopisë, Kukësit, Përmetit, Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë”, tha Berisha.

Gjatë inspektimit të rrugës, në zonën e njohur si Shkëmbi i Lunikut, Kryeministri Berisha u ftua të shtypë butonin e detonimit për hapjen e terrenit nga një masiv shkëmbor, për të mundësuar avancimin e rrugës.

Duke përgëzuar ekipin e inxhinierëve dhe punëtorëve për përkushtimin dhe punën e madhe që po bëjnë, Kryeministri tha se kjo trajektore shkurton nga 71 kilometër në 58 kilometër distancën.

a.q/NOA

KOMENTE