English

Edi Rama, Për programin, Kasandrat dhe Obamizat

Nga Alfred Lela Edi Rama ishte një twitter, një blog, një editorial dhe një libër larg fitores në zgjedhjet e radhës. Që prej së martës, ai dhe partia e tij janë një program larg. Dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë. Si për socialistët, si për demokratët, si për opozitën në përgjithësi dhe mazhorancën në veçanti.

Është lajm i mirë sepse, më në fund, kemi opozitën që kërkuam. Kjo kolumnë vazhdimisht e ka mbajtur yryshin tek Edi Rama dhe opozitarizmi i tij allasoj ku përziheshin Obama me Chavezin, Third way me Orange Revolution. E të gjithë rrinin keq brenda një molotovi politik, shishja e të cilit spërdridhej rrezikshëm në qiellin e ulët të Shqipërisë. Por Edi Rama i iku më në fund komatozës politike, mpirja e së cilës ia bënte të besueshme një ardhje në pushtet nëpërmjet rrugës. Ai, pas kërcënimeve të para për dhunë me anë deputetësh kamikazë që kërkonin të nxirrnin një Bastijë nga Pallati i Kongreseve, u tërhoq. Në shenjtërinë e kësaj tërheqjeje dhe pensiviteti iu kthye publicistikës, blogjeve e formës më të epërme të komunikimit, librit. Politikisht, u bë më i pastër dhe më konkurrues kur hodhi në treg (një javë para librit) edhe draft-programin mbi të cilin do të mbështetet platforma elektorale e Partisë Socialiste.

Tani ai është bërë politikisht relevant, të paktën me elektoratin e tij. Çdo përpjekje për ta linçuar, edhe pse ai po luan sipas rregullave të opozitarizmit, është, para së gjithash, anti-opozitarizëm.

Po pse është inkurajuese sjellja e re politike e z. Rama dhe opozitës socialiste? Në krye fare nuk është blasfemi të jesh ideologjikisht kundër opozitës së vendit tënd, por të tërhiqesh nga konstruktiviteti i saj. Qoftë edhe me shpresën se një opozitë me program e ide bën edhe palën tjetër më programatike dhe më ideore. Së dyti, një opozitë konkurruese në vend të një opozite dekonstruktive i bën mirë ingranazhit social të vendit. M’anë tjetër nëse dyshimi është metodika që zgjedhim për ta dekriptuar programin dhe qëndrimin e ri të opozitës, duke thënë se e gjithë paja e re politike e ka fishekun në të, duhet të jemi gjithashtu gati të presim. Të presim që opozita ta argumentojë programin e saj duke paraqitur edhe pse-të, si-të dhe kur-et për të.

Programi i z. Rama është pikë së pari universal. Në të vërehet përpjekja për të mos lënë jashtë asnjë kategori sociale, duke guxuar të shkohet edhe djathtas me trajtimin që drafti i bën çështjes së të përndjekurve politikë dhe pronarëve. Siç vërehet edhe prirja nga populizmi, sidomos në dy çështje thelbësore e universale siç janë sistemi i taksimit dhe ai shëndetësor. Për përkitje, ndoshta jo dhe aq rastësore, sistemi shëndetësor universal dhe taksimi progresiv qenë e vazhdojnë të jenë në krye të axhendës së Shtëpisë së Bardhë nën demokratët e Obamas. Dy çështje, kompleksiteti dhe kontroversialiteti i të cilave rrezikojnë ta kthejnë Barack Obamën e “Yes we can” në një Jimmy Carter të “No, we couldn’t”. Gazeta "Mapo"

KOMENTE