Rinas, 4 nëntor 2011, NOA - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka ekstraduar sot nga Madridi drejt vendit tonë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Perikli Stavri Kule, 42 vjeç 42, lindur në Fier. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin Nr. 154, datë 08.07.1999, e ka dënuar atë me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Armëmbajtjes pa leje”. Perikli Kule më datë 08.02.1998, është shpallur fajtor pasi në bashkëpunim me dy persona të tjerë, ka vrarë në Libofshë të Fierit, shtetasin Vlash Deçe dhe më pas e ka fshehur kufomën në kodrat e Ardenicës. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Madrid, u bë i mundur arrestimi i këtij shtetasi në Spanjë, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas shtetasi i mësipërm i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia, 200 të akuzuar të shpallur në kërkim
Policia shqiptare i ka shpërndarë kolëgve në të gjithë botën listen e personave më të kërkuar të rreth 200 shqiptarve, kryesisht për krime të rënda. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, si vrasje, krijim dhe pjesëmarrje në organizate kriminale, përdhunime, trafiqe te ndryshme, etj. Këtu bënte pjesë edhe Perikli Kule. Për vite me radhë këta persona janë shpallur në kërkim ndërkombetar nga ana e Interpol Tiranës, por kanë vazhduar të gëzojnë lirinë e plotë. Ata gjenden të fshehur në skaje ë ndryshme të botes, edhe pse një pjesë e tyre kane marre një dënim të formës së prerë nga ana e drejtësisë shqiptare.
a.q/NOA