Nga Armand Shkullaku Dy partitë e mëdha nuk gjejnë zgjidhje jo thjesht se përjashtojnë njëra-tjetrën, por se kulturën e përjashtimit e njohin si mënyrën e vetme për të sunduar. Dy shizmat e reja e dëshmojnë edhe një herë këtë
Shqipëria, e penalizuar një muaj më parë në objektivin e saj për t’u afruar me Bashkimin Europian, kryesisht për shkak të krizës politike, po përjeton një fenomen që e bën edhe më pesimisit parashikimin për një zgjidhje të kësaj krize. Presidenti Bamir Topi në njërën anë dhe disa figura të Partisë Socialiste në anën tjetër, kanë dhënë shenja të qarta se do të provojnë të konkurojnë në politikë duke krijuar parti të tjera nga ato të origjinës. Këto dy shizma, si djathatas ashtu edhe majtas, pritet të jenë një nga ngjërjet më të rëndësishme politike në vend. Mbi to po komentohet e po debatohet shumë, por e gjithë analiza ndalet tek efekti dëmtues që do të kenë këto dy grupime përkatësisht kundrejt Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. E dëmton Topi më shumë Berishën në 2013 apo Islami, Malaj, Harasani, etj mund ta lënë përsëri në opozitë Edi Ramën, kush mund t’i bashkohet Topit nga njerëzit e Berishës, a do të pranojë Fatos Nano t’i prijë grupit anti Rama, etj, etj.
Debati është përqëndruar në këtë drejtim për faktin e thjeshtë se të dyja këto rryma (që mund të shndërrohen në parti politike) nuk kanë lindur nga nevoja e elektoratit për një përfaqësim ndryshe, por janë pasojë e mbylljes së dy partive të mëdha dhe përqëndrimit gjithnjë e më të madh të pushtetit tek dy liderët kryesorë, Berisha dhe Rama. Ato nuk kanë ndonjë program të veçantë, ideologji ndryshe apo frymë të re për të cilat mund të hapej një diskutim publik e qytetar. As nuk përfaqësojnë atë pjesë të shoqërisë shqiptare që është e lodhur nga politika konfliktuale e 20 viteve të fundit. Këto dy shizma në thelb janë produkt i këtij konflikti dhe reflektojnë agresivitetin e politikës shqiptare.
Ato e kanë zanafillën tek ngushtimi i hapësirës demokratike tek dy partitë e mëdha, tek mungesa e kulturës së dialogut dhe marrëveshjes, tek injorimi i sensibiletetve të ndryshme brenda një familje politike, tek kultura e përjashtimit dhe mbi të gjitha tek ruajtja e pushtetit absolut të udhëheqësit mbi grupin. Dy ndarjet që mund të ndodhin tek e djathta dhe e majta shqiptare nuk kanë të bëjnë me programe përfaqësimi, ato janë thjesht fryt i intolerancës që mbizotëron brenda partive dhe më gjerë në të gjithë klimën politike. Ato nuk po ngjizen nga ndonjë nevojë e shoqërisë, por janë më shumë fëmijët ilegalë të Berishës e Ramës që ata duan t’i nxjerrin jashtë shtëpisë së tyre. Topi apo Islami, Biberaj apo Harasani nuk janë përfaqësues të ndonjë grupimi të caktuar shoqëror, por individë që nuk i përshtaten liderit që kërkon të dominojë grupimin e tij politik. Qasja përjashtuese ndaj tyre i çon detyrimisht pastaj në sajimin e një force politike me shpresë për të mbijetuar në mjedisin e egër politik.
Vetë mënyra se si po sillen Berisha dhe Rama ndaj këtyre dy korrenteve e dëshmon më së miri frymën e intolerancës që po i prodhon ato. Njëri më i ashpër dhe tjetri në mënyrë pak më të sofistikuar po i godasin çdo ditë kundërshtarët e tyre brenda llojit. Sa të ndryshëm duken Berisha dhe Rama kur përplasen mes tyre, aq të ngjashëm janë për të ruajtur pushtetin personal brenda partisë. Lidershipi i PD e akuzon Topin se po bashkëpunon me socialistët, se ka bërë pakt me ta, e deri tek etiketime si aleanca e plehrave, etj. Në anën tjetër, ata që mendojnë ndryshe nga Rama konsiderohen si njerëz të Berishës, tradhëtarë, të blerë apo të shitur.
Kjo frymë armiqësore shkon edhe më tej e ashpërsohet deri në konflikt. PD godet çdo ditë Topin duke e konsideruar të barabartë me kundërshtarin, goditje që arritën majën në përplasjen me kryetaren e Kuvendit. Kandidaturat e Presidentit rrëzohen, të zgjedhurit lokalë e injorojnë atë dhe klima armiqësore e ka rrethuar menjëherë atë prej çastit kur ka dalë kundër “familjes” së tij politike. Edi Rama, në stilin mistrec të socialistëve, organizon njerëz për të prishur takimet e Arben Malajt. Nxjerr trangujt e rinj nga sera e oborrit të tij politik për të kërkuar përjashtimin e Islamit e Harasanit pse marrin pjesë në seancat e Kuvendit. I mënjanon dhe i lë jashtë vendimarrjes ata që mendojnë ndryshe duke dashur ta ketë të gjithë partinë nën kontrollin e tij absolut.
Mënyra se si po sillen dy liderët kryesorë me kundërshtarët e tyre brenda llojit është shkaku kryesor që po çon në dy shizma të reja djathtas dhe majtas. Atyre që mendojnë ndryshe nuk po u lihet asnjë rrugë kompromisi, marrëveshjeje apo përfaqësimi brenda kampit të tyre. Ata po detyrohen të bëjnë të vetmen zgjedhje që u ka mbetur, të krijojnë partitë e tyre.
E këto parti natyrisht që shikohen si mundësi për të dëmtuar atë që i nxorri jashtë dhe jo si cilësi për të përmirësuar skenën politike. Kjo klimë e egër përjashtuese është ndoshta edhe një nga shpjegimet se përse kriza politike po zgjat kaq shumë dhe pse perspektiva është e errët. Ambasadori Arvizu, në kuadër të integrimit të Shqiëprisë në BE u kërkoi partive politike që të riangazhohen për zhvillimin e dialogut mes tyre.
Por kur shikon atë që po ndodh brenda tyre, vetëm ndarja dhe konflikti shfaqen në horizont. Dy partitë e mëdha nuk gjejnë zgjidhje jo thjesht se përjashtojnë njëra-tjetrën, por se kulturën e përjashtimit e njohin si mënyrën e vetme për të sunduar. Dy shizmat e reja e dëshmojnë edhe një herë këtë. Gazeta "Panorama"