English

Hapësira ajrore e Kosovës, mundësi për NATO-n

Tiranë, 4 nëntor 2011, NOA - Normalizimi i Hapësirës Ajrore të Ballkanit dhe hapja e hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës, është tema e forumit të aviacionit të zhvilluar në Tiranë. Në takim morën pjesë zyrtarë të NATO-s dhe aviacioneve civilë të Shqipërisë, Kosovës, shtetit maqedonas dhe Hungarisë. NATO sugjeroi që vendet të paraqesin sqarime zyrtare mbi dëshirën për t’u angazhuar me Aleancën Veriatlantike në hapjen e hapësirës së sipërme të Republikës së Kosovës. Drejtori i Aviacionit Civil të Shqipërisë, Ervin Mazniku shprehu interesimin e Shqipërisë për të qenë kandidat për menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës.

“Hapësira e lartë ajrore e Kosovës është e mbyllur për mbikalime që nga viti 1999. Ne jemi duke punuar ngushtë me NATO-n, me partnerë të tjerë dhe mbi të gjitha natyrisht me Autoritetin e Aviacionit Civil të Shqipërisë. Jemi në rrugë të mirë për të gjetur një zgjidhje që është politikisht, teknikisht dhe praktikisht e pranueshme. Do të bëjmë shkëmbim të kapaciteteve teknike për të ndihmuar hapjen sa më të shpejtë dhe të lehtë të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës për mbikalime”, tha ai.

Në takimin e ardhshëm të Normalizimit të Hapësirës Ajrore të Ballkanit në fund të nëntorit, pritet të dilet me rekomandime për Këshillin e NATO-s mbi ofrimin e shërbimeve për rrugët e trafikut në hapësirën e sipërme ajrore të Kosovës. NATO i dha sugjerimet në takimin e 6 korrikut në Bruksel.

a.q/NOA

KOMENTE