Tiranë, 4 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në mbledhjen e Qeverisë të mbrëmjes së sotme, Kryeministri Berisha tha se është sjellë për miratim dhe do dërgohet në parlament buxheti i vitit 2012.
“Ky buxhet është më i madhi në tërë historinë e vetë dhe ka si objektiva më kryesorë, garantimin e stabilitetit makroekonomik si përparësi e të gjitha përparësive në kohën e një krize, ndofta më të rëndë në historinë e Europës. Buxheti i viti 2012 është hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me ju, bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit të të gjithë treguesve më optimal të mundshëm për stabilitet ekonomik. Siç jemi zotuar se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje të borxhit, por vetëm ulje të tij, se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje të deficitit buxhetor, por vetëm ulje të tij, se nuk ka dhe nuk do të ketë parashikime të tjera përveç atyre me praktikën më konservatore”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se në themelin e buxhetit është vendosur të përqendrohet në objektivat më madhorë dhe këto janë rritja e rrogave dhe e pensioneve, duke shprehur bindjen se rritja e studiuar e rrogave dhe pensioneve përbën një akt shumë të rëndësishëm në politikën e investimit në burimet njerëzore si dhe në fytyrën njerëzore të qeverisë.
Sipas tij, zemra e dhimbsur është dhe do mbetet zemra e vërtetë e kësaj qeverisje, ndaj dhe viti i ardhshëm sërish Shqipëria do jetë një ndër më të paktat vende që rrisim rrogat, pensionet si dhe ndihmën ekonomike.
Kryeministri u shpreh se, në vlerësimin që bëhet për krahasimin global Shqipëria rezulton në vendin e 17- të në botë për rroga dhe produktivitet dhe ky është një nga treguesit më thelbësor që është arritur, duke premtuar se do bëhen përpjekje që të përmirësohet më tej ky raport, duke ruajtur konstante politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve.
“Viti 2012 nuk është një vit elektoral, pra ne nuk e bëjmë këtë për qëllime elektorale, siç është përpjekur në mënyrën më të përsëritur opozita të cilësojë politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Uroj që të biem dakord në parlament dhe kësaj radhe pasi kanë votuar për vite kundër tyre ta bëjnë zemrën gur dhe të votojnë për këtë rritje, sepse pensionistët shqiptarë, punonjësit e administratës dhe familjet e tyre kanë nevojë për të ardhura. Ta recitojnë këngën e orizit çdo seancë parlamentare, por do kishte qenë shumë më e dobishme të votojnë rritjen e rrogave dhe pensioneve që kemi dërguar në parlament për çdo buxhet”, u shpreh kreu i qeverisë duke theksuar se maxhoranca u qëndron në mënyrë të palëkundur premtimeve elektorale.
Në vijim të fjalës së tij gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri tha se një vëmendje kyçe e ekzekutivit do të jetë përmirësimi i infrastrukturës.
Ai shtoi se ndonëse janë mbajtur premtimet kryesore dhe janë zhvilluar investimet kryesore në këtë drejtim, sërish rrugë në fshatra kanë nevojë të ndërtohen përveç atyre që janë në ndërtim, por që kërkojnë jo më shumë se 1 miliardë euro investime.
“Çdo shqiptarë do vijë në Tiranë duke kursyer 60% të kohës, pasi deri më tani kemi kthyer në realitet ndërtimin e 3 tuneleve. Maxhoranca do mobilizojë të gjithë potencialet e saj për ta bërë Shqipërinë me infrastrukturën më moderne, jam i bindur se kjo është mënyra më e sigurt, për të përshpejtuar procesin e zhvillimit të këtij vendi”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se autostrada Levan-Tepelenë do jenë gati për 100 vjetorin e Pavarësisë, informon agjencia NOA.
Në të njëjtën linjë Berisha iu drejtua Ministrit të Arsimit duke thënë se nëse deri më tani interneti është vendosur në çdo shkollë, tashmë ai do të jetë në çdo klasë sepse shkolla shqiptare do të jetë shkollë dixhitale në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Ndër të tjera shefi i maxhorancës, u ndal edhe në zhvillimin e fruti-kulturës apo projektit kombëtar të ullirit e arrorëve si dhe çdo druri frutor, ku theksoi se ky projekt ka rëndësi për pasurimin e familjeve shqiptarëve.
a.y/NOA