English

Kritika si alternativë

Qeveritarët dhe analistët e tyre na thonë që ne të VETËVENDOSJE!-s vetëm po kritikojmë. A do të thotë kjo se pajtohen me kritikën tonë dhe tash po kërkojnë zgjidhje prej nesh? Nëse pajtohen me kritikën tonë, atëherë patjetër që duhet të japin dorëheqje. Nëse nuk pajtohen me kritikën tonë, atëherë çka iu duhen zgjedhjet tona?!...

Nga Albin Kurti

... Në fakt, ata thonë kështu në mënyrë që të kapërcehet pa u trajtuar kritika jonë. Të pafuqishëm përballë kritikës sonë, ata duan që ajo të harrohet sa më parë. Nuk duan të flasin fare për përmbajtjen e kritikës sonë. Nuk duan t’i trajtojnë arsyetimet dhe argumentet e kritikës sonë.

Pra, për të mos u marrë me kritikën tonë, dhe për t’i inkurajuar të tjerët që njësoj të mos merren me kritikën tonë, ata thonë “cila është zgjidhja juaj, çka do të bënit ju” ndërkohë që s’japin dorëheqje dhe duan që me çdo kusht ta mbajnë pushtetin.

Fillimisht qeveritarët dhe analistët e pushtetit mundohen ta kundërshtojnë e relativizojnë kritikën tonë. Pastaj, në pamundësi të kësaj, ata i bëjnë bisht kritikës sonë.

E, kur dorëzohen dhe pastaj kërkojnë të dinë se si do t’ia kishim bërë – atëherë shpërthen oportunizmi e konformizmi i mbështjellë me propagandë e përhapje të frikës: nuk mund të bëhet kjo gjë; është rrezik; shkakton dhunë... etj. etj. Çdo aspekt i ligjërimit të tyre është simptomë e mishërimit të mosvullnetit me mungesën e koncepit të qartë politik.

Çdo kritikë bëhet prej një pozicioni të caktuar sado që ai mund të mos jetë i dukshëm. Dhe, mu ai pozicion ndërtohet retroaktivisht prej kritikës së tillë. Pra, nuk ekziston kritika e pastër negative. Në çdo kritikë pashmanshëm përvijohet një substancë pozitive që është mishërim i pozicionit prej nga u nis dhe u zhvillua kritika. Pra, nuk mund të jeshë vetëm kundër duke qenë kundër. Kur je KUNDËR, gjithmonë je edhe PËR diçka.

Bile-bile, te Lëvizja VETËVENDOSJE! kundërshtia është pjesë a posteriori e alternativës (të duhurës). Dhe kjo ndodh për sa kohë që kritika jonë ndodh si kundërreaksion ndaj të këqijave që na vijnë nga pushteti i korruptuar. Kritika jonë është ndërtuese në kuptimin dihotomik të fjalës.

Ne jemi kundër decentralizimit etnik të Kosovës sepse (madje pikërisht) pse jemi për integritetin dhe unitetin territorial të Republikës së Kosovës. Ne jemi kundër hajnisë, saktësisht pse jemi për një qeverisje të ndershme që niset nga interesat e kombit, shtetit dhe qytetarit.

Ne jemi kundër ndarjes së Kosovës sepse jemi për bashkimin e saj. Ne jemi kundër Planit të Ahtisaarit sepse jemi për pavarësi të plotë dhe të barabartë me shtetet normale. Ne jemi kundër këtij privatizimi pa plan e të egër që po na e humb pasurinë tonë publike sepse jemi për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ne nuk e aplikojmë kritikën si qëllim në vete. Ne e konceptojmë kritikën si pikënisje dhe instrument. Por, kritika te ne është legjitimim i thelbit të kritikës - që është veprimi. Kritikë e vërtetë është ajo që sipas Aristotelit do të ishte Mundësi (dynamis), pra kritika që si e tillë e ka përbrenda vetes impulsin e vullnetit për ta kapërcyer veten – dhe për t’u bërë veprim.

Kjo nuk është kritikë për hir të kritikës. Ne kritikojmë vetëm ashtu që të veprojmë. Ne jo vetëm e kritikojmë pushtetin që nuk po i bojkoton mallrat e Serbisë – sepse ne konkretisht i bllokojmë ato. Ne jo vetëm e kritikojmë hajninë e pushtetit – sepse demonstrojmë si qytetarë kundër saj.

Kritikojnë edhe të tjerët, mirëpo për asnjë kritikë tjetër regjimi nuk është në siklet sikurse për kritikën e VETËVENDOSJE!-s. Tronditja e tyre nuk vjen vetëm për shkak se kritika e VETËVENDOSJE!-s për dallim prej të tjerave edhe bëhet veprim edhe është konsistente. Pra, ata nuk i frikësohen kritikës sonë vetëm pse ajo nuk është fundi por fillimi i kundërshtimit.

Dhe, njësoj, nuk na tremben vetëm për shkak se e dinë që ne, ndryshe prej të tjerëve, nuk heqim dorë nga kritika jonë asnjëherë. Sikleti i tyre vjen prej kritikës sonë për shkak se ajo përnjëmend është kritikë.

Kritika jonë është fondamentale dhe strukturale. Ne nuk mendojmë, sikurse subjektet tjera politike, se negociatat me Serbinë po dështojnë për shkak të paaftësisë së Edita Tahirit, duke pretenduar se vetë do t’i bënim më mirë, por për shkak se korniza e negociatave pashmangshëm çon në dështim, për shkak se moskushtëzimi i Serbisë dhe hyrja në pazar për tokën tënde domosdoshmërisht të dëmton.

Ne nuk mendojmë se korrupsioni ndalet duke e ndërruar Hashim Thaçin me një tjetër, por duke e ndërruar kursin dhe mentalitetin e qeverisjes në vendin tonë. Nëse i dëgjoni me vëmendje kritikat e shumë subjekteve të tjera ndaj regjimit ato janë më shumë ankesa sesa kritika. Më parë se kundërshtim, ankesa është gjithsesi lakmi.

Ai që ankohet ndaj dikujt, po të shikohet ca më thellësisht, nuk kundërshton me të vërtetë por shpreh lakmi për atë që nuk e ka. Ankesa konsiston te dëshira e papërmbushur, te kërkesa për mëshirë ose lëmoshë, jo te revolta e kundërshtimi.

Kritika jonë duke qenë kritikë është kundërshtim i pakompromis. Nuk është e rastësishme pse ata që ankohen nuk e kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë, kurse Lëvizja VETËVENDOSJE! që kritikon e kërkon dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhjet e reja.

KOMENTE