Kanë(Francë), 4 nëntor 2011, NOA - Italia i ka kërkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar që të monitorojë masat që do të merren nga Roma për të ulur deficin e lartë publik që ka ky vend. Lajmi është konfirmuar nga presidenti i Bashkimi Europian, Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso. Sipas tyre, një veprim i tillë u mor nga Italia në mënyrë që të kthejë besimin në tregjet financiare të zhytura në krizë pas situatës së rëndë në vendet e Eurozonës. Dy liderët europianë diskutuan në Kanë ku po zhvillohet samiti I G20-ës dhe thanë se, problemet e Italisë janë shumë të ndryshme nga ato të Greqisë, ndeërsa Barrozo, u shpreh i kënaqur që kishte vërejtur këtë sens përgjegjësie në tryezën e samitit të G20-ës.
Programi dy ditor i G20 përfshin 6 pika, ku e para përsërit angazhimin për rikapitalizimin e bankave me mungesë kapitali si dhe disponueshmërinë e bankave qendrore për politika ekspansive për furnizimin me likuiditet të sistemit bankar. Pika tjetër përcakton serinë e masave për vendosjen e sigurisë për rimëkëmbjen ekonomike, siç janë politikat monetare jo inflacioniste, ndërsa për ekonomitë e mëdha rekomandohet përshtatja e politikave që favorizojnë rritjen dhe konsolidimin e llogarive publike . Pika e tretë do të përballet me çështjen e fleksibilitetit të normave të këmbimit, ku ftohen vendet emergjente si Kina, për politika shkëmbimi monetare më pak të kontrolluara. Tema e katërt lidhet me akumulimin e rezervave valutore që vihet re në vendet prodhuese të lëndëve të para. Pika e pestë ka të bëjë me nevojën për një koordinim më të madh të politikave kombëtare për të minimizuar rreziqet e infektimit, për të marrë masa ndaj rritjes së shpejtë të normave të shkëmbimit. Ndërkohë që pika e gjashtë u diskutua në takimin e ditës së parë ku u vendos, që FMN duhet të ketë më shumë autoritet për të kontribuar me dhënie kredie ndaj vendeve me krizë sistematike.
a.q/NOA