Prizren, 4 nëntor 2011, NOA- 12 zyrtarë kosovarë janë prangosur ditën e sotme nën akuzën e mashtrimit dhe shpërdorim të pozitës.
Burime zyrtare nga policia e Kosovës bëjnë me dije se hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar me autorizimin e Prokurorisë së Prizrenit për dyshimin e bazuar se kompania e cila furnizonte me naftë këtë institucion dhe institucionet tjera si, Qendrën e Paraburgimit-Prizren dhe Qendrën e Paraburgimit në Peje, ka mashtruar këto institucione në sasinë e furnizimit me derivate.
Gjatë hetimeve të realizuara nga zyrtaret policore të krimeve ekonomike është kuptuar se sasia e derivateve të naftës së furnizuar e cila gjendej në rezervuar nuk korrespondon me sasinë e naftës së faturuar nga kompania furnizuese. Pas kësaj, hetuesit policor në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Tregtisë kanë bërë verifikimin dhe matjen e sasisë së derivateve në të gjithë rezervuarët dhe e njëjta është vërtetuar se mospërputhja e përgjithshme shifrave të litrave për naftë në tri vende është 22 724 litra.
Pas këtij hetimi personat e arrestuar janë; Pronari i kompanisë furnizuese me derivate, zyrtarë të Prokurorisë së Qarkut-Prizren, zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit – Prizren dhe zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit -Pejë.
a.y/NOA