Fondacioni Vodafone Albania sërish në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara në shikim
Tiranë, 4 Nëntor 2011 NOA - Në ambientet e teatrit Metropol në Tiranë u zhvillua sot një takim ku dy prej fituesve të programit ‘Bota e Ndryshimit’ të Fondacionit Vodafone Albania, Blerina Shalari dhe Emiliano Lule treguan gjithçka mbi sfidat e tyre, sukseset, arritjet, emocionet që kanë hasur dhe hasin gjatë implementimit të projekteve të tyre në kuadër të përpjekjeve për të ndihmuar personat e komunitetit me probleme në shikim.
Emiliano Lule mbylli me sukses projektin e tij i cili tashmë i jep mundësinë njerëzve me aftësi të kufizuar në shikim të përdorin kompjuterin përmes programit Jaws i cili mes një sistemi audio në gjuhën shqipe udhëzon hap pas hapi përdorimin e programeve më të zakonshme kompjuterike si Windows, Internet Explorer, Outlook Express, Winamp, dhe Skype. Emiliano falënderoi Fondacionin Vodafone Albania i cili përmes programit “Bota e Ndryshimit” bëri të mundur realizimin e nje ëndërre për të gjithë njerëzit që nuk shikojnë.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe prezantimi i projektit të ri të programit “Bota e Ndryshimit” i cili është ne hapat e tij të para të implementimit. “Të prekim pentagramin”, është sigla që udhëheq këtë projekt të cilin Blerina Shalari po e ndjek me shumë dashuri.
Tashmë nxënësit kandidatë për artistë, do të luajnë në piano, kitarë, fizarmonikë, klarinetë, dhe në të gjithë instrumentet, me partitura të përshtatura posaçërisht për ta.
Një program kompjuterik i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Vodafone Albania dhe mbështetur me logjistikë nga Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, do të mundësojë pavarësinë totale të nxënësve të verbër në shkrim, lexim dhe mësimin e muzikës profesionale, duke bërë të mundur gjithashtu njohjen me sistemin ndërkombëtar të shkrimit të notacionit në gjuhën e shkruar të të verbërve, Brail.
Impakti që pritet të sjellë projekti do të përfshijë gjithë brezat e atyre që do të shkollohen më pas, sepse në njërën nga etapat e projektit, do të ketë trajnim për mësuesit, ç’ka mundëson kalimin e kësaj përvoje të re tek nxënësit e ardhshëm.
Fondacioni Vodafone Albania vazhdon të mbështesë këtë komunitet edhe me projekte të tjera që ndihmojnë më tej integrimin e personave që nuk shikojnë. Në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë, Fondacioni ka realizuar hapjen dhe funksionimin pa limit të 9 qendrave kompjuterike për personat e verbër për përdorimin e softit ‘Jaws’ në 8 qytete (Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Korçë dhe Tepelenë).
Këto qendra vazhdojnë të funksionojnë edhe sot dhe frekuentohen rregullisht nga personat e verbër në qytetet përkatëse. Ndërsa këtë vit, sfida e re me këtë shoqatë është pikërisht mbrojtja, unifikimi dhe nxitja e shkrimit special Brail për të gjitha trevat shqipfolëse, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Ky shkrim do të bëhet i njohur nga të katër ministritë e vendeve përkatëse dhe për t’i shërbyer brezave që vijnë pas. Gjithashtu do të zhvillohen kurse për personat e verbër të cilët akoma nuk e njohin këtë shkrim.
e.t/NOA