Nga Preç Zogaj Për një vend si Shqipëria, ku qeveria nuk zbaton asnjë prej dymbëdhjetë kritereve të kandidimit në BE, përfshirë kriterin themelor të mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme, gara politike për programin më të mirë duket pothuajse e pakuptimtë. Normalisht, qeveria që cënon zgjedhjet ndëshkohet pa kushte me votë popullore masive. Opozita e saj nuk ka nevojë për shumë letra: i mjafton raporti i ODHIRI-it për zgjedhjet e Tiranës apo regres-raporti i fundit BE-së për t’u kërkuar zgjedhësve sovranë, majtas dhe djathtas, një votë negative për qeverinë e tyre. Një votë “jo”, që në terma elektoralë përkthehet automatikisht në votë “po” për opozitën. Ka plot e plot raste kur zgjedhësit shkojnë në votime për të shporrur një qeveri të keqe , pa e vrarë mendjen shumë për atë që po vjen. “Të thyejë qafën kjo që është se na nxiu jetën , pa të vijë kush të vijë”, thuhet në këto raste. Fitorja me votë negative, pa alternativë, është pak a shumë një fitore “qyl” dhe nganjëherë edhe pa nder për opozitën. Keqkuptimi dhe shpërdorimi i saj nga fitimtarët pa kurorë çon në aventura të paimagjinueshme. E kemi parë edhe në Shqipëri, kur Fatos Nano ka ardhur në pushtet parasëgjithash falë votë negative për Sali Berishën dhe kur ky i fundit është rikthyer në pushtet kryesisht falë votës negative për Fatos Nanon. Fakti është se në vendin tonë nuk kemi njohur ende një rrotacion pushteti nga konkurenca e programeve. Opozita e sotme po kërkon ta lerë pas këtë histori. Propozimet e saj të njëpasnjëshme për një Pakt për Integrimin, për Reformën Zgjedhore dhe së fundi Projektprogrami Bazë i Zhvillimit i paraqitur nga kryetari i PS-së, Edi Rama, dëshmojnë qartë se kjo opozitë nuk mjaftohet dhe nuk kënaqet të vijë në pushtet thjesht me votë negative kundër qeverisë “Berisha”. Ajo po kërkon të afirmohet si alternativë e re dhe të qeverisë neser në bazë të një programit të shpallur, të njohur, të diskutuar dhe të votuar, pa qenë nevoja e improvizimeve dhe pa vazhduar me avazin e vjetër të fajësimit të paraardhësve për dështimet eventuale.
Opozita nuk ka pritur afrimin e fushatës elekrorale për të nxjerrë asin nga mënga, siç thuhet. Ajo ka zbritur në fushë me programin e saj të zhvillimit shumë kohë përpara zgjedhjeve . Kjo është një qasje e re për trasparencën dhe gjithëpërfshirjen. Programi në fjalë ka rrugë për të bërë për të marrë formën përfundimtare të një programi elektoral për qeverisjen e re. Ai do të debatohet e miratohet nesër në Kongresin e PS-së, si program i partisë që përfaqëson shtyllën e opozitarizmit në Shqipëri. Sipas lajmeve nga selia rozë, ai do të konsultohet në vijimësi me publikun e gjerë. Më tej, megjithese në të janë reflektuar disa prej prioriteteve politike të mbarë Opozitës së Bashkuar, do të ketë një program të përbashkët dhe konkret të koalicionit opozitar, ku përveç propozimeve rracionale që vinë nga partitë aleate të PS-së, do të reflektohen edhe rrezultatet e konsultimit me qytetarët.
Por edhe kështu siç është, pa prurjet, redaktimet dhe risitë e neserme, programi bazë starton me disa vlera të qenësishme, që janë vetë themeli i një ndërmarrjeje politike kaq serjoze. Së pari, dëshmon një njohje të gjerë të gjendjes. Shqipëria vjen siç është. Shqipëria rroket e gjitha, me tërë problematiken dhe rreziqet që e kërcënojnë. Së dyti, propozon zgjidhje. Zgjidhje herë të matura, herë radikale që mbeshteten në përvojat e shoqërive të hapura , në mundësitë dhe burimet e Shqipërisë. Së treti, programi është shkruar qartë dhe bukur. Nuk do ta vija në dukje këtë tipar, po të mos ishte e e vertetë se të shkruash qartë do të thotë të mendosh qartë. Dhe sot politika shqiptare ka nevojë me shumë se asnjëherë tjetër për qartësi, arsye dhe arsyetim të shëndoshë.
Ka shumë dëshpërim dhe pesimizëm në Shqipërinë e sotme. Shkaqet janë politike, ekonomike, sociale, psikologjike. Në këtë vorbull që duket pa rrugëdalje opozita merr përsipër të përgatisë dhe propozojë legjitimisht një të neserme të re. Publiku ka arsye të shpresojë dhe të gëzohet që ka një opozitë propozuese dhe pozitiviste. Është e tillë kjo opozitë jo se është akademiste dhe libreske, as sepse ka harruar vrasjet e 21 janarit apo farsat zgjedhore të 29 qershorit 2009 dhe 8 majit 2011. Është pozitiviste piksëpari sepse është e fortë,e sigurtë, e qartë, e shpaguar në përpjekjet e saj për të berë trasparencën botërore të rregjimit votëvjedhës të Tiranës, e bindur se vetëm nepërmjet rivendosjes së shtetit ligjor mund të zbardhet masakra e 21 janarit; është kombëtare dhe europianiste, pa asnjë dilemë në lidhje me të ardhmen europiane të vendit.
A mos është në naivitet opozita shqiptare me këtë politikën e saj plot propozime, ndërkohë që korrupsioni po bën kërdinë dhe vendi po zhytet edhe me keq në humerat e pandëshkueshmërisë? A mos janë duke e perqeshur në pallatet e qeverisë: “E shkreta, lodhet kot me programe dhe me pika. Ne kemi gurin dhe arrën në votime”. Mundet, mundet. Por nuk ka pikë rëndësie që dikush po i nxjerr gjuhën prapa krahëve dhe një tjetër po kërkon gjilpëren në kashtë në programin e saj. Me raportin që nxorri ODHIR-i, Shqipëria është de fakto protektorat perendimor përsa i përket zgjedhjeve. Realisht, opozita nuk e ka përballë, por e ka lënë prapa qeverinë. Ka kohë që opozita sillet si qeveri, ndërsa qeveria bën opozitën e keqe, duke zevendësuar debatin me propagandë dhe batuta bajate. Qeveria dhe kryeministri mund të vazhdojnë me batuta. Por Berisha me të tijtë kanë detyrimin të shprehen për disa fakte dhe shifra shqetësese që përmenden në programin bazë të opozitës. Pesë përqind e depozituesve në banka zotërojnë me shumë se 50 përqind të depozitave; sot, për çdo 100 vetë në moshë pune punojnë 52 vetë, ndërkohë që dhjetë vjet më parë punonin 60 vetë; monopolet sundojnë fornizimin dhe tregëtimin e disa mallrave të domosdoshme si gruri, orizi, sheqeri, vaji, barnat , karburantet, çimento, hekuri. Shqipëria eksporton 9 herë më pak prodhime bujqësore në krahasim me importin. Shifra dhe fakte të tilla, të nxjerra me nxitim nga programi, tregojnë një deformim të plotë të modelit ekonomik të votuar të qeverisë. Por shifrat me alarmante janë ato që flasim për borxhin. Zyrtarisht, borxhi përfaqëson rreth 60 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por nuk janë llogaritur detyrimet e pashlyera ndaj kontraktorëve, një borxh i akumuluar që ka arritur në më shumë se 100 milionë dollarë. Nuk janë llogaritur as detyrimet e tjera të njohura me ligj ndaj shtresave të ndryshme si ish të përndjekurit politikë dhe pronarët e shpronësuar nga rregjimi komunist. Sipas PS-së borxhet në Shqipëri e kalojnë 80 përqind të PBB. Aventura e qeverisë nuk përfundon këtu. Tendera të tjerë janë bërë dhe kontrata të tjera janë lidhur pa mbështetje financiare, duke i shtyrë fituesit të ecin me paratë e tyre, duke e rritur edhe më tej borxhin publik. Nën 30 përqind të PBB e ka borxhin Maqedonia. Si në një familje, nje qeveri e përgjegjshme merr borxh aq sa mund të shlyejë. Vetëm një qeveri aventuerire i bie me top me parimin “pas meje kiameti”. Gërshërët dhe shiritat elektoralë që rrëzijnë në vështrimin e kryeministrit mund të rrezultojnë armët vrasësë dhe mbytese të ekonomisë kombëtare neser. Borxhi i madh është një gur ne qafë për brezat, është një minë me sahat për qeverinë e ardhshme. Greqia e dribloi me rrotacion të parakohshëm goditjen e parë të krizës. Shqipëria nuk e ka ketë mençuri. Shqipëria politike ecën me hile. Prandaj opozita pozitiviste duhet të këtë që tani një strategji të saktë për menaxhimin e borxheve dhe sigurimin e një fluksi likujditetesh. Për të mos u mbytur nesër nga i mbyturi. Gazeta Shqkulli