Oxford, ANGLI, 4 Nëntor 2011, NOA - Një 32-vjeçar nga Shqipëria është duke u gjykuar për një krim të tmerrshëm në Angli. I riu emigrant nga Shqipëria, Xhonatan Limani që ju shihni në foton kryesore, akuzohet se ka vrarë menaxherin e lokalit të golfit, Kristian Varian, gjatë kohës që punonte si kamerier.
Sipas akuzës, Limani i ka prerë atij kokën me thikë duke i therur fytin. Hetuesit që kanë parë nga afër vendin e ngjarjes thonë se skena ishte e denjë për filmat horror.
Por në seancën e parë, Limani ka mohuar akuzën, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.
Në seancën gjyqësore, Limani ka thënë vetëm një fjalë: “Nuk jam fajtor”. I menjëhershëm reagimi i mediave vendase që vlerësojnë se Limani nuk ka shfaqur “asnjë emocion gjatë kohës që është ulur në bankën e të akuzuarave i shoqëruar nga disa policë”.
Vrasja ka ndodhur në klubin luksoz të golfit në qytetin Oxfordshire që ju shihni në foto. Gjykata vendosi që ai të qëndrojë në burg deri në përfundimin e hetimeve. Gjykatësi deklaroi se Limani do të qëndrojë në paraburgim deri në datën 19 mars 2012.
Vrasja mendohet të jetë kryer në 21 gusht të vitit të kaluar. Të pranishëm në seancën e parë të gjyqit ishin dhe të afërmit e viktimës.
Limani ka kërkuar ndihmën e përkthyesve për të ndjekur procedurat, pas shkak të problemeve me gjuhën. Ai ka deklaruar se gjyqi i tij duhet të mbaronte brenda dy javëve. Por mësohet se vetëm marsin e ardhshëm do të konkludojë shqyrtimi gjyqësor.
e.t/NOA