Pejë, 4 nëntor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në Konferencën e Parë të Ministrave të Mbrojtjes të Rajonit, që po mbahet në Pejë, e cilësoi këtë takim si një sinjal për paqe dhe stabilitet në rajon, që sot po u dërgohet si mesazh popujve të rajonit.
Siç raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA në Kosovë, Kryeministri Thaçi në këtë takim është shprehur se, kjo konferencë dërgon mesazhin e bashkëpunimit në një fushë që për shumë vite ishte shqetësim, dërgon mesazh për paqe dhe siguri si dhe është një hap i madh në kapitullin e ri të Kosovës, të lirisë dhe demokracive.
“Secili nga ne e di se vetëm 12 vjet më herët, ndoshta do të ishte e paimagjinueshme që të ndodhte një takim i tillë i paqes, i stabilitetit, bashkëpunimit dhe perspektivës euro-atlantike. Kanë ndodhur ndryshime të mëdha, dhe për të gjitha këto ndryshime, të gjithë jemi meritorë. Jemi meritorë, dhe ju falënderoj në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës. të gjithëve”, u shpreh Thaçi.
Ai shtoi se e ardhmja europiane e Kosovës, për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, është e rëndësishme dhe për këtë duhet të thellohet bashkëpunimi rajonal, të shkëmbehen përvojat më të mira, me qëllim që të tejkalohen sfidat eventuale.
Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës është duke punuar shumë që Forca e Sigurisë së Kosovës shumë shpejt të arrij të anëtarësohet në “Partneritetin për Paqe”, si hap i parë drejt integrimit në NATO, të anëtarësohet dhe të bëhet pjesë e të gjitha strukturat dhe projektet rajonale të sigurisë, të marrë pjesë aktive në operacione paqeruajtëse apo humanitare jashtë vendit.
Në mbyllje të fjalës së tij Thaçi theksoi se vetëm një Ballkan që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Europian dhe NATO-s, duke shprehur se kjo është rruga dhe vizioni që duhet të ndiqet.
a.y/NOA