Gjirokastër 4 nëntor 2011, NOA – Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga dy vëllezër pasi dyshohen për trafik lëndësh narkotike. Tafil Beqari 42 dhe Levent Beqari, 44-vjeç të dy lindur dhe banues në Nepravishtë të komunës Qendër –Libohovë janë arrestuar pasi në banesën e tyre janë gjetur 6 pako me rreth 6 kilogramë mariuanë. Operacioni i policisë është zhvilluar sot gjatë orës 01.00 të mëngjesit në fshatin Nepravishtë, pas sinjalit se në një banesë në këtë fshat kishte lëndë narkotike. Droga është gjetur në banesën Levend Beqarit, i cili prej 6 muajsh nuk jetonte në këtë banesë por kishte lënë të banonte vëllain e vet, Tafil Beqari. Lënda narkotike ishte vendosur në katin e parë që përdorej si bodrum për të mbajtur sende të ndryshme. Të dy vëllezërit kanë mohuar të kenë lidhje me lëndën narkotike. Levent Beqari, i cili është dhe i zoti i banesës ku u gjet droga, pretendon se prej 6 muajsh jetonte në stan me bagëti dhe në shtëpinë e tij kishte lënë të banonte përkohësisht vëllain e vet Tafil Beqari. Në këtë mënyrë ai ka hequr dorë nga përfshirja në kultivimin e dhe tregtimin e lëndës narkotike. Pas marrjes së provave të para, është bërë arrestimi në flagrancë i të dy vëllezërve. a.k/NOA