Pejë, 5 nëntor 2011, NOA – Nga Peja, ku ndodhet prej dy ditësh, në takimin e parë të ministrave të Mbrojtjes së rajonit të Ballkanit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi se Kosova, me këtë takim që zhvillohet në territorin e saj, ka hedhur një hap domethënës për aspiratën integruese euro-atlantike të vendit.
“Duke patur parasysh të gjithë mbështetjen, që Aleanca e Atlantikut të Veriut i ka dhënë në vijimësi shtetit të ri të Europës, duke pasur parasysh mbështetjen pa rezerva nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mbështetjen e vendeve të rajonit, të gjithë ne shpresojmë që kjo rrugë do të jetë sa më e shkurtër. Por, duhet ta themi që ky është një hap përpara, koha do të na tregojë se deri në ç’masë ky hap do të ndihmojë, apo ka ndihmuar, për arritjen e këtij qëllimi të madh të Kosovës”, theksoi ministri Imami.
Agjencia NOA informon se gjatë takimit, ku marrin pjesë ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues nga Komanda e SHBA-ve për Europën dhe NATO-n, është vënë re mungesa e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, i cili ka bojkotuar takimin.
Konferenca, e realizuar me ftesë të ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, është e para e këtij lloji, që zhvillohet në nivel ministrash të Mbrojtjes së vendeve të rajonit.
Në hapje të konferencës krerët e shtetit theksuan se Kosova është e interesuar që në kuadër të nismave rajonale të kontribuojë për paqen e stabilitetin në rajon edhe me angazhimin konkret të FSK-së në operacione.
Në përfundim të ditës së parë të punimeve, ministrat e Mbrojtjes kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, ku thuhet se është arritur qëllimi për bashkëpunimin bilateral, rajonal, dhe euroatlantik, në fushën e sigurisë, si dhe në fushën e përgjigjeve ndaj emergjencave civile.
Në këtë deklaratë po ashtu thuhet se “nëse duam të maksimizojmë efikasitetin në këto fusha, ne duhet, që në mënyrën më të mirë të mundshme të koordinojmë kapacitetet e secilit vend të interesuar”.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha gjatë hapjes së takimit, se shkëmbimi i përvojave dhe gjetja e formave më të mira të bashkëpunimit, janë në interes të të gjitha vendeve dhe qytetarëve të rajonit.
Zonja Jahjaga rishprehu se qëllimi i Kosovës, ashtu si dhe i tërë vendeve të rajonit të Ballkanit, është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se konferenca, dërgon mesazh të qartë për të ardhmen e Kosovës, por edhe të rajonit.
Ai shtoi se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, bëri me dije se FSK-ja është e gatshme të marrë pjesë e të kontribuojë në ruajtjen dhe ndërtimin e paqes në rajon e më gjerë.
Në fund të kësaj konference, autoritetet përfaqësuese shprehën gatishmërinë e tyre dhe mbështetjen në vullnetin e popullit dhe institucioneve të Kosovës, për t’u anëtarësuar në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë.
mit/NOA