Tiranë, 5 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Një nga themeluesit dhe zërat ndryshe, brenda Partisë Socialiste, i pranishëm në transformimin e partisë më të madhe opozitare nga Parti e Punës në PSSH, ish-Kryetari i Kuvendit, Kastriot Islami deklaroi se Edi Rama nuk synon bashkimin e PS-së, por ndasinë brenda saj, duke sulmuar çdo socialist, që mendon ndryshe nga ai.
Duke iu referuar fjalimit të lidershipit socialist në Kongres, deputeti Islami theksoi se Kryetari i PS-së sulmoi ish-Presidentin Rexhep Meidani, duke e cilësuar atë si një njeri që punon në prehrin e kryeministrit Berisha, informon agjencia e lajmeve NOA.al.
“Sot në prehrin e Sali Berishës nuk u hodhën vetëm ata persona, që e kanë kritikuar, por u hodh edhe Rexhep Meidani, i cili tha vetëm një fjali të thjeshtë, që në programin e Partisë Socialiste, nuk janë të gjitha argumentat. Le ta marrim se zoti Meidani e kishte të ekzagjeruar, që unë nuk mendoj, sepse ai është një njeri, që i mendon gjërat thellë”, u shpreh zoti Islami.
Deputeti Islami nënvizoi se tre persona ishin ata, që e stigmatizuan ish-presidentin Meidani, si njeri në prehrin e Berishës, dhe kryesori ishte pikërisht lidershipi socialist.
“Të akuzosh sot, Rexhep Meidanin, se është në prehrin e Berishës është një gjë shumë e rëndë”, deklaroi deputeti socialist i mendimit ndryshe.
Deputeti Kastriot Islami nënvizoi se praktika e Edi Ramës për të udhëhequr Partinë Socialiste, është të sulmojë pikërisht themeluesit e saj, që kërkojnë asgjë më shumë vetëm, bashkimin e PS-së dhe rrugëtimin e saj të sigurtë, në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
mit/NOA