English

Kapen autorët që aksidentuan për vdekje policin

Tiranë, 5 nëntor 2011, NOA- Policia e kryeqytetit mbrëmjen e djeshme ka kapur autorët e dyshuar të aksidentit që i morën jetën punonjësit të policisë Ramazan Xhediku rreth 1 muaj më parë.

Burime nga policia thanë për agjencinë NOA se, ngjarja në fjalë ka ndodhur më 6 tetor në afërsi të rrugës“ Jordan Misja” ku persona të paidentifikuar kanë aksidentuar për vdekje punonjësin e policisë së Komisariatit të Policisë Nr.5 Tiranë, 47 vjeçarin Xhediku, i cili gjatë momentit të përplasjes ka qenë duke udhëtuar me mjetin motor Honda 50 ç, pasi kishte përfunduar shërbimin.

Lidhur me këtë vepër Prokuroria e Tiranës ka filluar procedimin penal për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen, “Largim nga vendi i aksidentit”.

Pas afro një muaj hetim u bë e mundur prangosja e Jurgen Nikës, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, për arsye se nga veprimet hetimore të kryera në vendngjarje ka rezultuar se ky shtetas duke drejtuar automjetin tip benz me targë Tr. 7572 R, ka aksidentuar për vdekje punonjësin e policisë shtetasin Ramazan Xhediku.

Po ashtu, është ndaluar edhe pronari i automjetit tip Benz shtetasi Medin Kosova, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke fshehur gjurmët e veprës penale në automjetin e tij, duke mos kallëzuar në organet e ndjekjes penale këtë krim të ndodhur.

a.y/NOA

KOMENTE