Tiranë, 5 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – “Ky është kongresi më i bukur qëkur jam në PS. Dhe më e bukura është, që ky është vetëm fillimi!”. Ky është mesazhi, që lidershipi i Partisë Socialiste u dha shqiptarëve në rrjetin social Twitter, në orët e mbrëmjes së të shtunës.
Lidershipi socialist, i cili u hapi derën e PS-së të gjithë atyre, që duan ta përkrahin duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe socialistët e mendimit ndryshe, vlerëson në një tjetër mesazh në Twitter se “fjalimi më i bukur i Kongresit të PS-së ishte ai i Spartak Ngjelës; më njerëzori ai i Pandeli Majkos; dhe më i ndjeri ishte fjalimi i Erion Braçes”.
Kongresi maratonë i Partisë Socialiste, ku lidershipi Rama dhe eksponentë kyç të PS-së reklamuan politikën e re të partisë më të madhe opozitare, programin e ri qeverisës të Shqipërisë me mision “Rilindjen shqiptare”, po vijon tashmë me votimin e anëtarëve të Asamblesë së re Kombëtare të PS-së, e cila më pas, do të zgjedhë kryesinë e re dhe sekretarët socialistë, që do të jenë edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës.
Votimi nga 1500 delegatët e Kongresit, i anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, programit elektoral për një rilindje të Shqipërisë dhe ndryshimeve në statutin e PS-së, bashkë me siglën e saj, pritet të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit.
Në ligjëratën e tij të gjatë në Kongres, kreu i opozitës deklaroi se ky është fillimi i një rruge të re, për ta kthyer programin e ri në një frymë të re besimi tek njerëzit e rraskapitur nga ekonomia në krizë, drejtësia në krizë, demokracia në krizë.
“Ky është fillimi i një rruge të re, për ta futur politikën në çdo shtëpi jo me erën e dasive të së shkuarës, po me fuqinë e propozimeve për të ardhmen. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta ngarkuar Partinë Socialiste me misionin e shpëtimit të vendit nga humnera e një krize ekonomike shpartalluese. Me misionin e reformave radikale, që programi ynë i ri paralajmëron për Shqipërinë në rrugën e një rilindjeje pas një çorodie të gjatë njëzet vjet. Me misionin e një patriotizmi europian, misionin e një rilindjeje shqiptare, që nuk duhet kurrsesi të mbetet një projekt shpresëdhënës në letër”, deklaroi zoti Rama gjatë Kongresit.
Ai theksoi se programi i ri socialist quhet për një rilindje shqiptare, duke preçizuar se ai është një derë e hapur, jo vetëm për ide e sugjerime, po edhe për të gjithë ata, që duan të bashkohen për ta bërë realitet një rilindje shqiptare.
“Individë, grupe interesi, organizata shoqërore, parti politike, të majta, të qendrës apo liberale të djathta, që gjejnë arsye për t’u bashkuar në programin tonë, bujrum, dera është e hapur. Programi ynë është një derë e hapur brenda një koalicioni të gjerë opozitar, Aleanca për të Ardhmen. I falenderoj përzemërsisht aleatët tanë për praninë e tyre sot dhe u shpreh respektin e të gjithë socialistëve, për konseguencën e për shpirtin e sakrificës, në rezistencën ndaj këtij pushteti vrastar e grabitqar. E në kontekstin e koalicionit tonë të gjerë lejomëni të nënvizoj: Programi ynë për një rilindje shqiptare më detyron një kërkesë ndjese ndaj atyre që deri dje i kemi quajtur, si gjithë të tjerët edhe ne, ish-pronarë. Që të ketë një rilindje shqiptare s’mund të ketë pronarë legjitimë që quhen ish-pronarë dhe sorollaten prej njëzet vjetësh në kalvarin e një përndjekjeje të ftohtë pas përndjekjes së përgjakshme të dyzetepesë viteve diktaturë”, theksoi Rama.
Gjatë fjalimit të tij, Rama iu drejtua mbështetësve duke u thënë: “Atyre, që më mbështesin u them se sot jam më shumë se kurrë i vendosur për të bërë bashkë me ju Shqipërinë që duam përmes një Partie Socialiste ashtu siç i duhet Shqipërisë. Do të jem me ju, më pranë se asnjëherë, kudo nëpër Shqipëri. Për ta hapur Partinë Socialiste. Për të nxitur bashkë me ju një dallgë të re anëtarësimesh në Shqipëri, Greqi, Itali e kudo ku ka shqiptarë që duan ndryshimin e madh dhe të domosdoshëm. Për ta bashkuar partinë tonë me çdo shqiptar e shqiptare që kërkon ta heqë qafe këtë qeveri, bashkë me varfërinë e borxhet”.
Por, lidershipi rozë, iu drejtua edhe socialistëve të mendimit ndryshe duke u bërë apel që me kundërshtimin ndaj tij, të mos kthehen në shërbëtorë të Sali Berishës.
“Atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre u them se s’jam i pagabueshëm. Por mos bëni me gabimet e mia të mundshme fajin e madh të shërbimit për kundërshtarin. Partia Socialiste nuk vuan sot nga mungesa e lirisë. As nga mungesa e demokracisë apo debatit brenda saj. Partia Socialiste nuk vuan as nga mungesa e harmonisë mes brezave apo nga mungesa e punës në ekip. S’ka dyshim se liria mund të punojë akoma më mirë edhe brenda nesh. Por s’mund të mos jemi krenarë që kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Le të bashkohemi tërësisht për t’i dhënë edhe më shumë cilësi lirisë brenda partisë. Por të bësh ngjasime mes Partisë Socialiste dhe kazermës së Saliut në aspektin e lirisë, është njësoj si të thuash se trëndafili dhe kaktusi janë e njëjta gjë. E kjo i shkon për shtat kaktusit, jo trëndafilit. Sigurisht demokracia mund të funksionojë edhe më mirë, edhe brenda nesh”, nënvizoi shefi i selisë rozë.
Ndërkohë, një nga themeluesit dhe zërat ndryshe, brenda Partisë Socialiste, deputeti Kastriot Islami e akuzoi lidershipin Edi Rama, se nuk synon bashkimin e PS-së, por ndasinë brenda saj, duke sulmuar çdo socialist, që mendon ndryshe nga ai.
Në këtë suazë, Islami theksoi se “Sot në prehrin e Sali Berishës nuk u hodhën vetëm ata persona, që e kanë kritikuar, por u hodh edhe Rexhep Meidani, i cili tha vetëm një fjali të thjeshtë, që në programin e Partisë Socialiste, nuk janë të gjitha argumentat. Le ta marrim se zoti Meidani e kishte të ekzagjeruar, që unë nuk mendoj, sepse ai është një njeri, që i mendon gjërat thellë”, informon agjencia e lajmeve NOA.al.
Sipas tij, të akuzosh sot, Rexhep Meidanin, se është në prehrin e Berishës është një gjë shumë e rëndë.
Islami tha se Edi Rama po e udhëheq Partinë Socialiste duke sulmuar themeluesit e saj, që kërkojnë bashkimin e PS-së, që do të çonte në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Por, njëri prej socialistëve të mendimit ndryshe në PS, deputeti Ben Blushi, e cilësoi Kongresin si hyrjen në një rrugë të drejtë të PS-së dhe për këtë ai vlerësoi pikërisht Kryetarin e Partisë Socialiste, si njeriun, që e çoi PS-në drejt të majtës dhe mbrojtjes së parimeve majtiste, për të cilën PSSH u themelua në krye të herës.
Kjo përforcon edhe idenë, se kafja e fundit e Edi Ramës dhe Ben Blushit, nën dritëhijet e medias, funksionoi, duke bërë, që deputeti socialist, t’i bashkohet radhëve të mbështetësve të lidershipit socialist.
Në afrimin e Ramës dhe Blushit, nuk duket të mos ketë gjasë, edhe dalja në treg pak ditë para Panairit të Librit e dy librave, “Kurban” i Edi Ramës, ende në botim, dhe “Shqipëria” i Ben Blushit.
mit/NOA