English

Kurban Bajrami, Presidenti uron besimtarët myslimanë

Tiranë, 5 nëntor 2011, NOA – Një ditë para kremtimit të drekës së “Kurban Bajramit”, ditës së shenjtë të sakrificës së njeriut në emër të Zotit, Kryetari i Shtetit, Bamir Topi uron të gjithë besimtarët myslimanë të solidarizohen dhe të reflektojnë thellë për vështirësitë e sotme.

Presidenti i Republikës, i ka dërguar një mesazh urimi Bashkësisë Myslimane Shqiptare dhe Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve dhe të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë për Festën e Kurban Bajramit, ku thekson: “Më lejoni që, në këtë ditë të shenjtë të kremtimit të Festës së Kurban Bajramit, në këtë moment simbol të shprehjes së flijimit dhe sakrificës së njeriut në emër të besimit të Zotit dhe të dashurisë për njeriun, t’ju shpreh urimet e mia më të mira e më të përzemërta!”

Presidenti Topi thotë më tej se kjo festë e madhe e mëshirës, faljes, mirëkuptimit, vëllazërimit dhe paqes, i bekon të gjithë besimtarët shqiptarë me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin, me më shumë dëshirë e përkushtim për të shfaqur vlerat e mirësisë e të solidaritetit njerëzor, si dhe për të kryer vepra të dobishme në shërbim të vendit dhe të ardhmes së tij!

“Le të shërbejë kjo ditë e shenjtë e kalendarit islamik si një mundësi reflektimi të thellë për të gjithë ne, për të rishikuar e vlerësuar harmoninë dhe tolerancën fetare, si vlerën më të arrirë të shoqërisë shqiptare, për të na mundësuar që të kapërcejmë të gjitha vështirësitë e të sotmes dhe realizuar të gjitha dëshirat dhe aspiratat e së nesërmes!”, shkruan Presidenti Bamir Topi, duke i uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët të marrin bekimin e Zotit për harmoni, paqe e dashuri në familjet e tyre.

mit/NOA

KOMENTE