Tiranë, 5 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- (Update) Në vijim të punimeve të Kongresit dhe fjalës së tij kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u kërkoi delegatëve që mandatin e marrë ta mbajnë me nderin dhe dinjitetin që kërkon Kongresi.
Ai falënderoi ambasadorët e pranishëm në Kongres, duke iu drejtuar atij të Bashkimit Europian Ettore Sequi ai tha, “Falenderoj ambasadorin Sequi për praninë në Kongres dhe i them se Europa për socialistët nuk është një pikë ku duam të arrijmë por një mënyrë e të qenit këtu në mes të Shqipërisë”.
Më tej ai falënderoi ambasadorin amerikan në vendin tonë Alexander Arvizu duke thënë se, “Ju siguroj në vullnetin e hekurt të socialistëve për ti dhënë mbështetje pa kushte Shqipërisë në aktin e partneritetit strategjik, ju garantoj se nesër SHBA do gjejë te qeveria jonë një partner të frymëzuar nga parimet dhe vlerat e demokracisë në mirëqeverisjen e popullit shqiptar. SHBA-të nuk do krenohen me ne vetëm për besnikërinë, por për një nxënës të mirë në mes të Europës dhe Ballkanit, që i bëri SHBA vend me kushtetueshmëri dhe liri. Falënderoj edhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë”.
Ndër të tjera ai tha se Qeveria “Berisha” ka dështuar pasi ajo shpërfill një ndër kontribuuesit kryesor të saj, emigrantët.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA, në këtë kuadër ai u shpreh se pa punën e emigrantëve ekonomia shqiptare do kishte falimentuar dhe se Qeveria kujdesin për emigrantët e ka kthyer në një shërbim konsullor.
Rama u shpreh se, është e pajustifikueshme që këta kontributorë nuk shprehin dot të drejtën e votës, duke nënvizuar se programi socialist parashikon të drejtën e votës aty ku ata jetojnë.
Ai tha se shkëlqesia e tij Kryeministër bashkë me spikeren e tij i ka ulur taksat, por vetëm për veten për spikeren dhe për ortakët e tij në biznes, ku u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me koalicionin e majtë, sepse në aleancën për të ardhmen ka shumë zgjedhje.
“Ne do i ulim në zero taksën e bukës, qumështit, vezëve dhe ilaçeve dhe po ashtu do e çojmë nga 20 në 6% pjesën tjetër të taksave. Qeveria ka tradhtuar pabesisht secilin prej jush por ne do të jemi gjithmonë pranë jush, për ndeshjen vendimtare për të folur si partia e të gjithëve. Aty ku kishte plehra, ka vallë më pak plehra, aty ku kishte papunësi, a ka vallë më shumë punë, aty ku kishte pak shpresë a ka vallë më shumë shpresë, ata kanë sjellë më shumë padrejtësi dhe shumë më shumë borxhe dhe flet vetëm për rrugë, rrugë duke e çuar borxhin në nivel ekstrem me shumë korrupsion dhe më shumë varfëri, 4 herë më shumë njerëz vdesin rrugëve të ndërtuara me borxhe sepse nuk kanë standarde rrugët e ndërtuara me borxhe”, u shpreh Rama, duke veçuar faktin se vetëm një pjesë e rrugës së kombit i ka standardet europiane.
Sipas tij, shqiptarët taksohen padrejtësisht dhe paratë e tyre shpërdorohen paturpësisht, pasi me këto taksa shqiptarët paguajnë për më shumë korrupsion më shumë papunësi dhe më shumë plehra, duke thënë se socialistët duan të ulim, korrupsionin, ndotjen dhe borxhin, pasi PS është parti e individit që ka në thelb frymën e komunitetit.
Ai u bëri thirrje delegatëve që të votojnë për programin e PS, duke thënë se premtimi solemn duhet të jetë fokusimi së bashku tek e ardhmja dhe se politika dhe qeverisja nuk mund të vazhdojë më kështu.
Kryesocialisti i mbylli fjalën e tij duke thënë, “Për një politikë të re, për një qeveri të re, për një rilindje kombëtare”.
Më herët Rama shprehu një falënderim të veçantë për Ermelinda Meksin, deputete e kësaj partie e cila la mandatin pasi tashmë do të jetë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke ironizuar zënkën e tij me të të përfolur së shumti në gazeta.
a.y/NOA