Tiranë, 5 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- (Update) Kryesocialisti Rama në vijim të fjalës së tij në Kongres u shpreh se në selinë rozë bashkëjetesa ka pasur mendime e debate, duke bërë thirrje që të gjithë të bashkohen edhe më shumë për ta bërë demokracinë të funksionojë më shumë në PS.
“Të thuash që s’ka demokraci në PS është si t'u thuash qytetarëve mos e besoni PS dhe kjo i shkon për shtat vetë qeverisë. Krizën që ka përfshirë vendin duhet ta kthejmë në oportunitet për ta çuar vendin para dhe kushdo që ka një mision të tillë është i mirëpritur. Çdo organizatë duhet të hapet, në gjirin e Partisë Socialiste grindjet nuk mund të bëjnë kurrsesi një arsye për të mos marrë në dorë të ardhmen, përpara se Saliu ta çojnë në humnerë të ardhmen e shqiptarëve. Fuqia e një njeriu nuk është të mos gabojë kurrë por të mos bëjë gabime të përsëritura, e them këtë për të gjitha ata që mund të rikthehen në familjen e opozitës, me këdo që na ndante e shkuara por që mund të na bashkojë e ardhmja, ne duhet të bashkohemi për një rilindje kombëtare. Do lëmë mënjanë grindjet dhe sherret për përfitime të qarta politike, sot nuk ka vend për këto”, u shpreh Rama.
Sakaq ai tha se interesi madhor për shqiptarët e kërkon me urgjencë që të përshpejtohet procesi i integrimit dhe prandaj tha se është ofruar një plan integrimi dhe të hënën do të bëhet një propozim tjetër i ri që është zgjedhur si alternativa e vetme europiane e Shiqpërisë dhe shqiptarëve.
Ai iu drejtua kundërshtarëve duke thënë se, atyre që e sulmojnë nga llogorja e pushtetit u tha shkoqur, se mundohen kot dhe se nuk do e gjunjëzojnë dot PS, nuk do e blejnë dot shpirtin patriotik dhe as shikimin drejt të ardhmes, as me dhunën , as me para dhe as me baltën e shpifjeve, duke theksuar se socialistët do i heqin nga qafa e Shqipëria me gjithë borxhe, me gjithë hajdutllëk.
Siç raporton NOA, shefi i opozitës theksoi se, “Zemërimi nuk na e ka humbur por na e ka kthjelluar arsyen. I keni vrarë njerëzit tanë, me dhunë psikologjike dhe përndjekjen, u jeni vënë pas njerëzve tanë, na keni vjedhur votat dy herë, një herë natën dy vjet më parë, dhe një herë ditën në sytë e gjithë botës por nuk do të ketë një herë të tretë, sepse tani më edhe demokratët e thjesht e kanë kuptuar se ju nuk jeni as e djathta shqiptare dhe as një qeveri për shtëpitë te tyre. Pasi hera e tretë do jetë hera e të vërtetës, për gjitha ata që jetojnë sot shumë më keq se më parë, janë shumë më shumë se është një popull që do ngrihet mbi malin e manipulimeve, e treta do jetë hera e së vërtetës së madhe që Shqipëria do ua tregojë me votë për padrejtësitë e kthyera në sistem dhe për tangërllikun e kthyer në mënyrë komunikimi”.
Rama theksoi se koha e Saliut ka mbaruar dhe se po jetohet agonia e qeverisjes së tij, duke veçuar faktin se do i jepet fund për një rilindje shqiptare.
a.y/NOA