Athinë, 5 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani - Kabineti i kryeministrit grek Papandreu është në pritje të një reflektimi pozitiv nga opozita e djathtë, e cila i ka thënë Jo, një qeverie koalicioni të përbërë nga figura politike, duke vënë si kusht krijimin e një qeverie të përbërë nga teknicienë, e cila, do të negociojë marrëveshjet e rradhës me Brukselin, dhe do ta çojë vendin në zgjedhje.
Zëdhënësi i kryeministrit grek ka bërë të ditur se lideri i PASOK-ut nuk ka vënë si kusht pjesëmarrjen e tij në qeverinë e koalicionit, ndaj dhe i ka kërkuar Presidentit të Republikës Karolios Papulias të nisë negociatat me faktorët politikë në vend, për të arritur sa më shpejt një marrëveshje për krijimin e qeverisë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
“Kryeministri ka kërkuar një diskutim të gjerë dhe gjëja e fundit, që i intereson është karrigia. I mbetemi këtij orientimi, në të mirë të popullit grek dhe ftojmë opozitën t’i bashkohet frymës së bashkëpunimit”, ka deklaruar zëdhënësi i kryeministrit.
Mazhoranca socialiste e udhëhequr nga Papandreu shpreson në një sinjal pozitiv nga kreu i opozitës Antonis Samaras, i cili ka refuzuar çdo lloj bashkëpunimi me kryeministrin socialist, duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Opozita i do lekët, që na jep Europa dhe uljen e borxhit publik, por nuk do, që të ndajë përgjegjësinë për detyrimet, që ka vendi përballë partnerëve tanë”, është shprehur zëdhënësi i kryeministrit grek, i cili ka ftuar kreun e Demokracisë së Re, të marrë përgjegjësinë që i takon në këtë moment të vështirë për vendin.
Ai tha se me qëndrimin e mbajtur, zoti Samaras po vë në dyshim vullnetin e tij për t’u bërë pjesë e përpjekjes mbarëkombëtare për shpëtimin e Greqisë në këmbim të qëllimeve të vogla politike.
mit/NOA