English

Sot po ju flas troç: Koha e Saliut mbaroi!

Nga Edi Rama

Kjo është dita për të folur për vizionin tonë për Shqipërinë dhe për këtë parti të madhe të shqiptarëve. Kush jemi; çfarë na bashkon; si do të qeverisim.

Ne takohemi sot në një ditë shumë të vështirë për vendin.

Secili prej jush ka me siguri shumë për të treguar për zhgënjimin, dëshpërimin, varfërinë dhe frikën që kanë pllakosur shpirtrat e njerëzve të zakonshëm kudo nëpër Shqipëri. Por, po ashtu, secili prej nesh ka shumë për të dhënë. Për një frymë të re shprese e besimi tek një Shqipëri si gjithë Europa.

Në zgjedhjet vendore të 8 majit të shkuar ne përjetuam dy ndjenja të forta:

Fitoren e madhe me votat e Shqipërisë që paguan taksa dhe zhgënjimin e madh nga vjedhja e dhunshme e fitores sonë në Tiranë.

Fitorja na tregoi se sa pranë saj jemi në zgjedhjet e ardhshme politike. Zhgënjimi prej vjedhjes na gërryen me dyshimin se mund të mos e heqim dot qafe paqësisht këtë qeveri me votë. Çdo ditë posta ime është e mbushur me mesazhe, që e shprehin fort këtë dyshim. Edhe plot ndër ju brehen nga ky dyshim. Janë të shumtë të rinjtë që më pyesin përditë pse duhet të votojnë. Janë të shumtë shqiptarët që nuk e besojnë që Saliu mund ta pranojë verdiktin e votës. Janë të shumtë ata që në rrugën time të arsyes pas shfaqjes televizive të vjedhjes së Tiranës, e quajnë rrugën e humbjes sonë. Ashtu siç nuk janë të pakët ata që rrugën tonë të rezistencës pas vjedhjes së qershorit 2009, e quajnë rrugën e interesit tim.

Sot dua t’ju flas shumë hapur të gjithëve. Troç sa të mundem. Me zemër dhe drejtpërdrejtë.

Edhe atyre që më nderojnë e japin krahë me mbështetjen e tyre të pakursyer;

edhe atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre e jo nga gabimet e mia të mundshme;

edhe atyre që më sulmojnë nga llogorja e pushtetit të kthyer në regjim.

Atyre që më mbështesin u them se sot jam më shumë se kurrë i vendosur për të bërë bashkë me ju Shqipërinë që duam përmes një Partie Socialiste ashtu siç i duhet Shqipërisë. Do të jem me ju, më pranë se asnjëherë, kudo nëpër Shqipëri. Për ta hapur Partinë Socialiste. Për të nxitur bashkë me ju një dallgë të re anëtarësimesh në Shqipëri, Greqi, Itali e kudo ku ka shqiptarë që duan ndryshimin e madh dhe të domosdoshëm. Për ta bashkuar partinë tonë me çdo shqiptar e shqiptare që kërkon ta heqë qafe këtë qeveri, bashkë me varfërinë e borxhet. Për ta ngritur besimin e dërrmuar nga padrejtësia dhe për t’i dhënë krahë bashkë me ju ambicies për një Shqipëri pa frikëra, pa borxhe, pa plehra, pa hajdutëri shtetërore, pa analfabetizëm, pa barbarizëm social. Do jemi të gjithë bashkë për një rilindje shqiptare. Të cilën dua ta projektojmë mbi bazën e programit të ri që e shpalosim sot, jo si fjalën tonë të fundit. Po si fillimin e një rruge të re ku do të bashkëbisedojmë, qytet më qytet e fshat më fshat, për të ripërtërirë besimin se po, Shqipëria mund të bëhet dhe do të bëhet. Dhe do ta bëjmë ne të gjithë sëbashku me Partinë Socialiste, me Aleancën për të Ardhmen dhe më çdo shqiptarë e shqiptare që dëshiron tu lerë fëmijëve të vet Shqipërinë që është amaneti i të parëve tanë.

Ky është fillimi i një rruge të re, për ta kthyer programin e ri në një frymë të re besimi tek njerëzit e rraskapitur nga ekonomia në krizë. Drejtësia në krizë. Demokracia në krizë. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta futur politikën në çdo shtëpi jo me erën e dasive të së shkuarës, po me fuqinë e propozimeve për të ardhmen. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta ngarkuar Partinë Socialiste me misionin e shpëtimit të vendit nga humnera e një krize ekonomike shpartalluese. Me misionin e reformave radikale, që programi ynë i ri paralajmëron për Shqipërinë në rrugën e një rilindjeje pas një çorodie të gjatë njëzet vjet. Me misionin e një patriotizmi europian, që të gjithë të zgjedhurit e rinj në forumet tona, nga organizata deri në kryesinë e re, duhet të mishërojnë në sjelljen e tyre me publikun e në qëndrimet tona publike. Me misionin e një rilindjeje shqiptare, që nuk duhet kurrsesi të mbetet një projekt shpresëdhënës në letër, po duhet të marrë formë në realitetin jashtëzakonisht të vështirë të gjërave.

* * *

Atyre që më gjykojnë duke u nisur nga qëllimet e tyre u them se s’jam i pagabueshëm. Por mos bëni me gabimet e mia të mundshme fajin e madh të shërbimit për kundërshtarin. Partia Socialiste nuk vuan sot nga mungesa e lirisë. As nga mungesa e demokracisë apo debatit brenda saj. Partia Socialiste nuk vuan as nga mungesa e harmonisë mes brezave apo nga mungesa e punës në ekip. S’ka dyshim se liria mund të punojë akoma më mirë edhe brenda nesh. Por s’mund të mos jemi krenarë që kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Le të bashkohemi tërësisht për t’i dhënë edhe më shumë cilësi lirisë brenda partisë. Të gjithë e duam këtë. Por të bësh ngjasime mes Partisë Socialiste dhe kazermës së Saliut në aspektin e lirisë, është njësoj si të thuash se trëndafili dhe kaktusi janë e njëjta gjë. E kjo i shkon për shtat kaktusit, jo trëndafilit. Sigurisht demokracia mund të funksionojë edhe më mirë, edhe brenda nesh. Por s’mund të mos e themi me kokën lart se kjo është e vetmja parti shqiptare që kryetarin dhe Kongresin e zgjedh me votën e drejtpërdrejtë të gjithë anëtarësisë së saj; që një të tretën e anëtarëve të zgjedhur të Kongresit i ka gra e vajza; që 30% të Asamblesë Kombëtare që do të rizgjedhim sot i ka po ashtu gra e vajza.

Ashtu sikundër s’mund të mos e çmojmë si virtyt të rrallë për një parti shqiptare bashkëjetesën tonë të pasur në mendime të ndryshme, e në debate të shpeshta. Le të bashkohemi ende më shumë për ta bërë demokracinë të funksionojë akoma më mirë edhe brenda Partisë Socialiste. Të gjithë jemi plotësisht të përkushtuar për këtë. Por të thuash s’ka demokraci, s’ka debat të lirë, s’ka respekt për zërin e pakicave në PS, është njësoj si t’u thuash shqiptarëve mos i besoni Partisë Socialiste. E kjo e pavërtetë e madhe, e thënë nga brenda PS-së, i shkon për shtat kundërshtarit në pushtet, jo qytetarit në opozitë. Sigurisht edhe puna në skuadër mund të bëhet më efikase. Por s’mund të ndjeheshim sot kaq mirë përpara shqiptarëve sikur, pikërisht falë punës në ekip, të mos kishim draftuar bazën e projektit ambicioz për një rilindje shqiptare. Le të bashkohemi në një mendje që gjithshka duhet bërë edhe më shumë që skuadra jonë të strukturohet dhe të bëhet më kolegjiale e më efikase. Të gjithë kemi çfarë të japim në këtë drejtim. Por të thuash s’ka ekip e kolegjialitet në PS është njësoj si tu thuash jo vetëm gjithë atyre burrave e grave që punuan me përkushtim, 3 muaj me radhë, për programin e ri të partisë dhe për dokumentin bazë të reformës organizative, ashtu siç punojnë përditë në disa fronte, se ata dhe puna e tyre s’kanë asnjë vlerë. E kjo qasje fyese për një shumicë dërrmuese që mendon ndryshe, që ka zgjedhur të punojë në ekip dhe të respektojë frymën e ekipit, nga cilidoqoftë që nuk arrin të dallojë kufirin ku mbaron liria e tij e ku fillon liria e të tjerëve, s’mund t’i shkojë për shtat tjetërkujt veç propagandës shurdhuese të kundërshtarit.

Le ta shohim të vërtetën në sy. Sot Partia Socialiste e ka vërtet një problem për të zgjidhur me veten. Dhe për ta zgjidhur pa humbur kohë me përkushtimin e të gjithëve dhe me përjashtimin e askujt. Ky problem është etika e përfaqësimit në të gjitha nivelet, nga deputetët tek kryetarët e partisë në territore e deri tek kryetarët e organizatave. Gjithkush është i lirë të thotë atë që mendon. Po askush s’ka të drejtë të përdorë mandatin e përfaqësimit në varësi të asaj që përfiton ose nuk përfiton për vete. Është koha e një kthese të fortë etike për një moral të lartë përfaqësimi të interesave të Partisë Socialiste dhe të popullit shqiptar. Është koha që shqiptarët të na vlerësojnë për atë që mund të jemi për ta, jo për atë që mund të tregojmë për veten. Të na dëgjojnë si flasim për ëndrrat, shpresat e hallet e tyre të mëdha, jo si ngremë zërin për synimet e interesat tona të vogla. Të na kenë pranë për të luftuar për më pak taksa e më shumë vende pune, jo të na shohin në televizor e gazeta si luftojmë për një vend për vete duke harruar të bëjmë punën e përbashkët, e deri duke tradhtuar si s’ka më zi familjen tonë politike – rasti i fundit i kryetarit të rrethit të Vlorës është turpi i tij, po detyrimi ynë për reflektim e për përgjegjshmëri.

Le ta bëjmë këtë reflektim me qetësi, kthjelltësi e vendosmëri dhe le tu përcjellim të gjithëve një mesazh të qartë:

Mandatet tona janë tuajat dhe ne do t’i përdorim ato vetëm për ta bërë më të mirë vendin tonë e jetën tuaj.

Ju të dashur delegatë e delegate jeni zgjedhur drejtpërdrejtë nga 57.140 socialistë e socialiste. Lejomëni t’ju uroj nga zemra për besimin e marrë përmes një shprehjeje kaq demokratike të vullnetit sovran të anëtarësisë së partisë. Por lejomëni gjithashtu t’ju bëj thirrje sot në ditën e parë të punës suaj fisnike në përfaqësimin e gjithë atyre që ju kanë zgjedhur dhe dua të bëj këtë thirrje në emër të gjithë anëtarëve e mbështetësve të Partisë Socialiste, që mandatin e marrë ta mbani me nderin e dinjitetin që ky Kongres kërkon sot nga çdo përfaqësues i Partisë Socialiste në ushtrimin e vullnetit të zgjedhësve. Pa etikën e lartë të përfaqësimit, që na distancon qartë nga pazari i gjësë së gjallë së politikës së vjetër, ku valon korrupsioni e korruptimi i shpirtrave të dobët dhe i mendjeve të cekëta, ne s’mund ta ngjisim dot Shqipërinë në majën ku duam. Pa një sjellje që të jetë modeli i qytetarisë që duam për Shqipërinë, brenda nesh e me ata që na kanë zgjedhur, ne s’mund të krijojmë dot energjinë e madhe pozitive që lypset për rimëkëmbjen, në radhë të parë morale, të kësaj shoqërie. Pa forcën e shembullit që mishëron patriotizmin, qytetarinë, interesin publik dhe aspiratën tonë europiane, ne s’mund ta krijojmë frymëzimin shoqëror për rilindjen shqiptare që kemi projektuar në programin tonë bazë. Ky është një program që do ta quaja të përvojës së madhe e të ideve të reja të shumë njerëzve. Nga ata me eksperiencë të gjatë tek ata me pasion rinor. Ky është programi i të tria gjeneratave të Partisë Socialiste. Është programi i atyre që e themeluan këtë familje politike. Është programi i atyre që e ngritën Shqipërinë nga gërmadhat e vitit ’97. Është programi i atyre që u bënë pjesë e kësaj partie në shekullin e ri. Ky është programi i reflektimeve të thella. I vullneteve të bashkuara për t’i dhënë shoqërisë një shtysë të re përpara. I kurajos për të rikrijuar vetveten, siç i takon një partie të madhe si organizëm i gjallë që jeton me kohën.

Ky është programi i vetëdijes kombëtare për rrezikun që i kanoset Shqipërisë së zhytur në borxh, varfëri, batakçillëk qeverisës. I vetëdijes politike për stuhinë alarmante që po i afrohet financave publike të këtij vendi, jo vetëm për shkak të krizës globale, po në radhë të parë të keqqeverisjes duke e fshehur krizën. Është programi i dallimit të qartë, të prerë, rrënjësor, mes nesh dhe atyre që sot e qeverisin Shqipërinë nga e djathta, por e rrjepin e shkatërrojnë përditë nga të katër anët. Ky është programi i partisë më të madhe të shqiptarëve. I socialistëve e progresistëve i shqiptarë. I vlerave e parimeve të socializmit europian. Më vjen natyrshëm në këtë moment falenderimi për Ermelinda Meksin. Të cilës do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për kontributin njëzetvjeçar dhe përkushtimin e pandryshuar njerëzor në ditë të mira e në ditë të këqija të kësaj familjeje politike.

Dikush më mori nga Mallakastra në telefon pardje e më tha: Dëgjo këtu komandant, ne të duam po po nuk i kërkove falje Ermelindës ne të zbuam! Kishte lexuar gazetat e oborrit që pasi e lajmëruan nja shtatë herë të thyer këmbën e Gramozit me shqelmin tim, shpikën sherrin me Ermelindën. Po kur e pyeta pse i lexon ato palo gazeta e dini si më tha? Po s’kemi as punë as moshë për filma me lakuriqa o komandant dhe zbavitemi ngapak me shpifjet e larove të Saliut! Po e keqja është se shpifin kaq shumë sa edhe na çorodisin nganjëherë.

Faleminderit për të gjitha zyshë Ermelinda. Programi që kemi nxjerrë në dritë është një provë e shkëlqyer kontributesh të përbashkëta. Po edhe një stimul i fortë për të gjithë në rrugën ku jemi të vendosur ta udhëheqim Shqipërinë. Ky stimul duhet të na bashkojë edhe më fort, të gjithëve pa përjashtim, me vetëdijen se koha e Shqipërisë nuk mund të humbet më gjatë në të tatëpjetën e krizës. E me bindjen se asgjë personale, e imja, e jotja, e atyre, e këtyre, mes nesh, nuk e vlen cënimin e përpjekjes historike për një rilindje shqiptare. Historia do të na dënonte pa mëshirë nëse krizën e rëndë që vendi kalon sot, nuk e kthejmë në një oportunitet të madh për vetë vendin. Për këtë përpjekje askush s’është i tepërt dhe gjithkush që ndan me ne vizionin e mishëruar në këtë program është i mirëpritur. Çdo organizatë duhet të hapet. Rritja 30% e anëtarësisë së partisë në vitin 2012 duhet të kthehet në objektiv i çdo njësie vendore, i çdo rrethi e qarku, i Asamblesë sonë të re Kombëtare e i kryesisë së re socialiste. Duke e filluar nga ata që janë larguar, për një arsye a një tjetër, dhe duke shkuar derë më derë tek ata që dëshirojnë të afrohen po s’është kujtuar njeri t’i thërrasë.

Shqipëria është sot në një luftë, luftë të vërtetë me varfërinë, papunësinë, borxhin mbytës dhe maskarallëkun e kthyer në sistem qeverisës. Dramat e së shkuarës brenda familjes së madhe të së majtës apo grindjet dhe hatërmbetjet e së djeshmes në gjirin e Partisë Socialiste, s’mund të përbëjnë kurrsesi një arsye të mirë për të mos e marrë në dorë të gjithë bashkë të ardhmen dhe për të mos bërë atë që na takon përpara se sa Saliu ta çojë Shqipërinë në humnerën tragjike të një krize financiare. Fuqia e gjykimit të një njeriu apo një organizate nuk është të mos gabojë kurrë, po të mos bëjë gabime të përsëritura. E them këtë për vete. E them këtë për ne. E them këtë për të gjithë ata që gabimet e së shkuarës mund t’i pengojnë psikologjikisht të rikthehen në hapësirën e madhe të opozitës së sotme. Çdo socialist me mandat, që nga kryetarët e organizatave tek deputetët, duhet të jetë një zemër dhe derë e hapur për këdo me të cilin na ndan e shkuara po mund të na bashkojë e ardhmja. Ne duhet të jemi tërësisht të vendosur të shkojmë përpara, për të realizuar programin tonë për një rilindje shqiptare dhe për të mos rënë në asnjë rast apo në asnjë formë pre e personalizimeve aq shumë të dëmshme të konflikteve të të shkuarës. Lufta me borxhin publik e me borxhet e familjeve të zakonshme që duam të marrim sot në mbrojtje me programin tonë të ri, s’ka vend për personalizma e beteja meskine kohërash normale.

Kjo nuk është një kohë normale për Shqipërinë. Themelet e financave tona publike dhe tërë ngrehina e ekonomisë shqiptare janë në rrezik. Izolimi faktik nga Europa në kushtet e stuhisë financiare që po afrohet është i papranueshëm dhe i pafalshëm. Politika duhet t’i dalë zot vendit dhe t’i lerë mënjanë sherret e llastimet e saj mediokre. Programi ynë është pikërisht vullneti ynë për të marrë lidershipin moral në këtë luftë, duke vendosur veten tonë në dispozicion të plotë të shpresave e të halleve të atdheut të 1 milionë të papunëve, dhe duke i lënë mënjanë të gjitha grindjet e sherret për hesape mirëfilli politike. Sot s’ka vend për to. As brenda partisë. As midis partive. Madje as me kundërshtarin politik. Me të cilin kurrë nuk do të na bashkojnë vizioni dhe idetë për Shqipërinë që duam, po asnjëherë mospëlqimi i thellë personal nuk do të na pengojë të dialogojmë në emër të interesit madhor të kombit dhe shtetit që përfaqësojmë. Sot ky interes madhor e kërkon me urgjencë që të përshpejtohet me çdo kusht procesi i integrimit. Stuhia që po afron nuk do të na gjejë jashtë mureve të Europës.

E prandaj ne kemi ofruar një plan propozimesh. Të hënën do të bëjmë një propozim të ri në kuadrin e planit tonë për përshpejtimin e integrimit. Të tjera propozime do të vijojnë më tej. Kjo është detyra që kemi marrë përsipër dhe rruga që kemi zgjedhur si alternativa e vetme europiane e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

Atyre që më sulmojnë nga llogorja e pushtetit të kthyer në regjim dua t’u them sot shkoqur:

Mundoheni kot.

Nuk do ta gjunjëzoni dot opozitën.

Nuk do ta dobësoni dot Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Nuk do ta blini dot shpirtin tonë patriotik.

Nuk do të korruptoni dot mendësinë tonë demokratike dhe shikimin tonë drejt të ardhmes.

Nuk do të na mposhtni as me dhunën tuaj, as me paratë tuaja, as me baltën tuaj të shpifjeve e fyerjeve të përditshme.

Ne do t’ju heqim nga qafa e Shqipërisë megjithë borxhet, megjithë hajdutëritë, megjithë paaftësinë tuaj epike.

Padrejtësitë tuaja na kanë zemëruar, po s’na kanë ligështuar. Zemërimi nuk na e ka humbur, por na e ka kthjelluar arsyen. Na i torturoni përditë njerëzit tanë, me plumba i keni vrarë njerëzit tanë. Me flakje në rrugë, dhunë psikologjike e përndjekje në gjithë pemën e gjakut të shtëpisë. Ju jeni venë pas njerëzve tanë. Na keni vjedhur dy herë votat. Një herë natën dy vjet më parë dhe një herë ditën për diell në mes të kryeqytetit, në sytë e gjithë botës për turpin e të gjithëve. Po nuk do të ketë një herë të tretë! Dhe e dini pse? Sepse tanimë edhe demokratët e thjeshtë, ata që i kanë dhënë shpirt e zemër Partisë Demokratike, e kanë kuptuar që ju nuk jeni as e djathta shqiptare dhe as një qeveri për Shqipërinë e tyre. Ju jeni vetëm një kastë grabitqare. Dhe si e tillë do të trajtoheni nga populli i majtë e i djathtë, kur hera e tretë të jetë hera e të vërtetës së të gjithë atyre që nën qeverisjen tuaj jetojnë sot shumë më keq se më parë. E këta janë shumë. Janë shumë më shumë se shumica që na mbështet e na voton ne. Janë një popull që do të ngrihet mbi malin tuaj të mëkateve e manipulimeve, ashtu siç ngrihen në një ditë, si nga dheu, popujt e varfëruar me pahirin e regjimeve si i juaji. E treta do të jetë hera e të vërtetës së madhe, që Shqipëria do t’ju tregojë me votë për tradhtitë tuaja. Për fukarallëkun e shpirtit tuaj dhe për varfërinë e shtëpive shqiptare. Për padrejtësinë tuaj të kthyer në sistem mbytës. Për tangërllikun e kthyer në mënyrë komunikimi.

Të dashur socialistë e progresistë kudo që jeni, të dashur opozitarë e qytetarë që doni ndryshimin pavarësisht se me kë jeni. E dëgjoj qartë zërin tuaj që thotë, nuk dëgjojnë këta asnjë propozim tonin. Nuk marrin vesh me të mirë këta. Nuk ikën Saliu me votë. E me radhë. Dua të më besoni se nuk është problemi ynë nëse qeveria i dëgjon apo jo propozimet tona. Është barra e mëkateve të saj që rëndohet duke qëndruar në llogoren e politikës së konfliktit, për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë me vota të vjedhura. Problemi ynë është që ju t’i dëgjoni dhe të ndjeheni pjesë e propozimeve që ne bëjmë në interesin tuaj në radhë të parë. Ju të ndjeni deri në fund se është Partia Socialiste që i përfaqëson qartë interesat tuaja, jo qeveria e lidhur me interesat e oborrit të Saliut. Sepse besomëni, nuk ka më asnjë rëndësi çfarë bën Saliu, po çfarë bën secili prej jush dhe çfarë bëjmë ne të gjithë sëbashku. Koha e Saliut ka mbaruar. Jetojmë vetëm agoninë e qeverisjes së tij. Të bashkuar do t’i japim fund agonisë për një rilindje të re shqiptare.

E kemi pasur të lehtë, shumë të lehtë madje, t’ia kthejmë Saliut në fytyrë përditë stërshpifjen e tij të stërpërsëritur, se opozita paska bllokuar integrimin. Po nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë. Sepse as integrimi s’është lojë “e ka kush e ka” dhe as ne socialistët s’mund ta përdorim kurrë flamurin e Europës, siç e përdor Saliu, si gjethe për të mbuluar pjesët e dukshme të përgjegjësive të tij. Ribashkimi me Europën, quhet pjesa e katërt e programit tonë për një Rilindje Shqiptare. Titullin e kësaj pjese e ka frymëzuar vetëdija e përkatësisë së hershme europiane të Shqipërisë, në kushtet e sotme kur flitet çdo ditë për Europën dhe përditë halldupëria e harbutllëku oriental në pushtet e largojnë Shqipërinë nga Europa. Për ne integrimi europian s’është rrugëtim drejt një vendi të huaj, po rrugëtimi i Shqipërisë drejt vetvetes. Bashkimi Europian s’është një organizatë ku ne do të aderojmë për të mbetur këta që jemi, po një familje ku Shqipëria do të hyjë vetëm duke u bërë ajo që nuk është ende, një shtet europian në shërbim të qytetarëve europianë. Në partneritet strategjik me Bashkimin Europian.

E falenderoj ambasadorin Sequi për praninë e tij në këtë kongres dhe i them në emrin tuaj: Europa për ne socialistët s’është një pikë ku duam të mbërrijmë, po një mënyrë e re të qeni këtu, mes nesh, në Shqipëri. Për këtë mënyrë të re të qeni flet shkoqur programi ynë i ri. Këtë mënyrë të re të qeni do ta bëjmë realitet përmes afirmimit të parimeve e vlerave të pandryshuara që mishëron Partia Socialiste. Si parti anëtare e Internacionales Socialiste dhe e familjes politike të socialistëve europiane. Por po ashtu si partia më e madhe e shqiptarëve që gëzojnë privilegjin e miqësisë dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. E falenderoj ambasadorin Aleksandër Arvizu për praninë e tij sot në këtë ngjarje të rëndësishme të jetës së Partisë Socialiste. Ju siguroj miku ynë në vullnetin e hekurt të socialistëve shqiptarë, për t’i dhënë mbështetje pa kushte sot në opozitë, qeverisë shqiptare lidhur me çdo mision e detyrim që angazhon Shqipërinë në kuadrin e partneritetit tonë strategjik. Ashtu siç ju garantoj se nesër Shtetet e Bashkuara do të gjejnë tek qeveria jonë jo vetëm aleatin e palëkundur për të gjitha angazhimet globale e rajonale, po edhe një partner të frymëzuar nga parimet e nga vlerat e demokracisë amerikane në mirëqeverisjen e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara nuk do të krenohen me ne vetëm për luajalitetin dhe besnikërinë në kuadrin e betjës së madhe për një botë më të mirë, por do krenohen me ne për një nxënës të mirë në mes të Europës dhe në zemrën e Ballkanit që punon dhe heton i frymëzuar nga parimet dhe vlerat që e bëjnë Shtete e Bashkuara vendin e ëndërruar të të gjithë atyre që duan kushtetutshmërinë. Të gjithë atyre që duan zgjedhje vërtet të lira e të ndershme. Të gjithë atyre që duan drejtësi të pavarur. Të gjithë atyre që duan lirinë e medias, tregun e lirë dhe vlerësimin e meritës.

Faleminderit edhe të gjithë miqve të tjerë që iu përgjigjën pozitivisht ftesës sonë, apo na uruan për këtë kongres pa mundur të vijnë. Faleminderit miqve tanë italianë e grekë, marrëdhëniet e konsoliduara me të cilët programi ynë i konsideron shumë të rëndësishme për Shqipërinë Europiane. Faleminderit miqve gjermanë e austriakë, me të cilët duam ta zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin e gjithanshëm për Shqipërinë Europiane. Faleminderit miqve francezë, britanikë, spanjollë e turq, me të cilët synojmë të inkurajojmë rritjen e shkëmbimeve dypalëshe, ashtu si edhe me Vendet e Ulëta e Skandinave, të cilave u jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e pakursyer që i japin demokratizimit e integrimit europian të Shqipërisë. Faleminderit të gjithë miqve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Shqipëria Europiane që kemi programuar ka në qendër të misionit të saj mbrojtjen e interesave kombëtare, pavarësisë, lirisë e sovranitetit të vendit, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për paqe e stabilitet në rajon e më gjerë. Kosova është për ne jo vetëm një tjetër shtet shqiptar në anën tjetër të kufirit, po edhe një potencial i madh historik e kulturor për një partneritet shumëplanësh, në funksion të qytetarëve të nesërm shqiptarë të Bashkimit Europian.

Programi ynë quhet për një rilindje shqiptare, por është një derë e hapur. Jo vetëm për ide e sugjerime, po edhe për të gjithë ata që duan të bashkohen me ne për ta bërë realitet një rilindje shqiptare. Individë, grupe interesi, organizata shoqërore, parti politike, të majta, të qendrës apo liberale të djathta, që gjejnë arsye për t’u bashkuar në programin tonë, bujrum, dera është e hapur. Programi ynë është një derë e hapur brenda një koalicioni të gjerë opozitar, Aleanca për të Ardhmen. I falenderoj përzemërsisht aleatët tanë për praninë e tyre sot dhe u shpreh respektin e të gjithë socialistëve, për konseguencën e për shpirtin e sakrificës, në rezistencën ndaj këtij pushteti vrastar e grabitqar. E në kontekstin e koalicionit tonë të gjerë lejomëni të nënvizoj: Programi ynë për një rilindje shqiptare më detyron një kërkesë ndjese ndaj atyre që deri dje i kemi quajtur, si gjithë të tjerët edhe ne, ish-pronarë. Që të ketë një rilindje shqiptare s’mund të ketë pronarë legjitimë që quhen ish-pronarë dhe sorollaten prej njëzet vjetësh në kalvarin e një përndjekjeje të ftohtë pas përndjekjes së përgjakshme të dyzetepesë viteve diktaturë. Pronarë dhe pikë. Dikush në Asamblenë Kombëtare tha ç’punë kemi ne me ish-pronarët e me të përndjekurit politikë që do vdesin duke i shkuar pas Saliut si lypsarë, po për ne s’do votojnë kurrë? Gabim. Për ne sot çështja e pronës nuk është një çështje elektorale, po një çështje përgjegjësie kombëtare që marrim përsipër ta zgjidhim me këtë program dhe me këtë koalicion. Tallja e Saliut dhe e gjithë politikës së vjetër me pronarët është jo vetëm një cinizëm i pashembullt, po edhe një pengesë e madhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social të Shqipërisë.

Qëllimi ynë është i qartë: Përmes zgjidhjes së çështjes së pronës, jo vetëm t’i japim fund sorollatjes së pronarëve legjitimë me një zgjidhje të dakordësuar me ta; të pajisim po ashtu me certifikata pronësie fermerët që punojnë prej njëzet vjetësh tokën e s’kanë një copë letër; t’u japim titujt e pronësisë të gjithë atyre që kanë hyrë në proces legalizimi. E kështu në këtë mënyrë të krijojmë një pasuri të plotë e të qarkullueshme në tregun e tokës. Krijimi i tregut të tokës, me vlerë të shtuar nga politika të mirëmenduara zhvillimi rajonal e rural, do të çlirojë energji të pafundme për një rilindje shqiptare. Njësoj si pronarëve edhe të përndjekurve ne u themi që angazhohemi për ta zgjidhur me dinjitet problemin e tyre, të pazgjidhur qëkur liria u është bërë një burg pamundësish e gënjeshtrash me një bisht njëzet vjet të gjatë. Ne do të zbatojmë për ish-të përndjekurit një dëmshpërblim progresiv sipas viteve të dënimit. Për ata mbi 75 vjeç do ta shlyejmë të gjithë masën e dëmshpërblimit brenda vitit të parë të qeverisjes së Aleancës për të Ardhmen. E atyre ndër ta që ndryshe nga Kurt Kola e nga Spartak Ngjela e nga të tjerë të burgosur me të vërtetë politikë të regjimit të vjetër që vazhdojnë edhe pas njëzet vjetësh rropatje pa dëmshpërblim, të shohin tek unë Partinë e Punës dhe tek Saliu lirinë e demokracinë, u them sot shumë qartë: Paragjykimi juaj nuk na pengon të jemi të drejtë me ju. T’ju respektojmë përulësisht për të gjitha vuajtjet dhe t’ju ofrojmë falas të gjitha shërbimet publike, njësoj si veteranëve të luftës. Për ne kjo nuk është një çështje interesash elektorale, nuk është as një çështje miklimi grupesh të ndryshme interesi. Për ne kjo është rivendosja e Shqipërisë në pozicionin e duhur, jo vetëm për ta ëndërruar, por edhe për ta mundësuar, një rilindje shqiptare. Për ne veteranët e luftës dhe të përndjekurit politikë, janë dy grupet më të vuajtura të këtyre njëzetë vjetëve tranzicion. Veteranët i dhanë Shqipërisë nderin e të qenit në krahun e duhur të historisë në orët dramatike të luftës botërore me një të keqe të madhe. Në këtë kongres mungojnë disa prej tyre, e ndër ta edhe kryetari i Komitetit të Veteranëve e miku ynë i paharruar, Adnan Qatipi. I paharruar qoftë kujtimi i tyre dhe i përjetshëm nderimi për luftën e për sakrificat që ata bënë.

Në programin tonë ne kemi shprehur vullnetin për adresimin e çështjes çame në koherencë të plotë me standardet e të drejtës ndërkombëtare. Edhe lidhur me këtë problem ka njëzet vjet që politika shqiptare rrotullon arra nëpër gojë. Ky problem as mund të lihet zvarrë në një heshtje fyese për komunitetin çam, as duhet lënë të kthehet në vatër të flakëve të një mllefi primitiv ndaj fqinjit tonë mik. Ne do ta trajtojmë atë me dinjitetin e forcës patriotike dhe europiane që jemi, ashtu siç trajtuam problemin e marrëveshjes së kufijve detarë të Shqipërisë. E sot kur kjo çështje është ringritur përsëri, dua ta bëj të qartë në emër të socialistëve shqiptarë: Ne jemi për një marrëveshje të shpejtë për kufijtë detarë, por vetëm mbi themelin e reciprocitetit absolut. Miqësia jonë me popullin grek është e patjetërsueshme dhe ne besojmë se një miqësi e vërtetë është vetëm një miqësi e barabartë. Vizioni europian, kuptimi i njëjtë për problemet e rënda të vendit dhe solidariteti njerëzor, na bëjnë natyrshëm aleatë me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e me mikun tonë Vangjel Dule. Nëse minoriteti grek është një urë e fortë lidhjeje e bashkëpunimi me Greqinë fqinje dhe veçoritë e tij një pasuri kulturore për Shqipërinë, PBDNJ-ja është një urë e fortë që e lidh Partinë Socialiste me minoritetin grek në radhë të parë e me të gjitha pakicat e tjera në Shqipëri.

*Fjala e lidershipit të PS, Edi Rama në Kongres

KOMENTE
  • valare10:53 - 06 Nëntor 2011
    Prolemi i maxhorances nuk eshte opozita por zhvillimi i reformave per integrimin e vendit ne Be,jane nderkombetaret dhe shqiptaret ata qe vleresojne se cila force politike eshte me e afte te qeverise .