English

Akuzohet për tradhëti

Beograd, 6 nëntor 2011, NOA – Bashkësia e komunave serbe në veri të Kosovës i ka bërë thirrje ekstremistëve serbë të veriut të Kosovës, të mos pranojnë marrëveshjet, që do të sillnin zgjidhjen e çështjes së dy pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.

Kjo bashkësi paralajmëroi se do të ngrejë padi kundër udhëheqësit të ekipit negociator të Beogradit, në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, bëjnë me dije mediat kosovare.

një komunikatë për mediat të lëshuar të dielën nga strukturat paralele serbe të Veriut, thuhet se deklarata e Stefanoviç, se Serbia dhe Kosova janë shumë pranë zgjidhjes për vendkalimet në Bërnjak dhe Jarinje, sipas serbëve lokalë nënkupton kapitullimin e Beogradit para kërkesave të Prishtinës.

Siç bën me dije Kosovapress, strukturat paralele në veri e konsiderojnë marrëveshjen si thikë pas shpinës së serbëve të Kosovës.

Për shkak të kësaj, serbët e veriut bënë me dije se brenda një kohe të shkurtër do të ngrenë padi kundër kryenegociatorit serb, të cilin e akuzojnë për tradhëti kombëtare.

Ndërkaq, shefi i ekipit negociator serb kishte deklaruar më herët se zgjidhja për situatën në veri të Kosovës do të gjendej shumë shpejt, duke preçizuar se ajo nuk do të jetë ideale dhe nuk do t’u përgjigjet në tërësi synimeve dhe nevojave të Serbisë.

Sipas Stefanoviçit disa liderë serbë nga Kosova, kanë probleme me rishikimin e realitetit, shkruan Kosovapress.

mit/NOA

KOMENTE