English

Arrihet marrëveshja për qeveri koalicioni, Papandreu ikën nga kryeministër

Athinë, 6 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani - 1 orë e 15 minuta ka zgjatur takimi mes kryeministrit grek Jorgos Papandreu dhe kreut të opozitës greke Antonis Samaras në zyrën e presidentit Karolios Papulias.

Dy liderët kanë rënë dakord për krijimin e një qeverie koalicioni, e cila do të garantojë ratifikimin e marrëveshjes së 27 tetorit për marrjen e huasë nga BE dhe do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, informon agjencia e lajmeve NOA.al.

Në bisedimet me presidentin Papulias është rënë dakord, që qeveria e re të mos drejtohet nga kryeministri aktual, Jorgos Papandreu.

Nesër, pritet, që liderët e të gjitha partive politike të zhvillojnë një takim për të rënë dakord për përbërjen e kabinetit të ri.

Është ende herët për të folur për emrat e ministrave të rinj, të cilët duhet të marrin konsensusin e tryezës së partive politike.

Po ashtu do të jenë krerët e partive, që do të bien dakord edhe për kohën kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryeministri Papandreu do ta lërë detyrën pikërisht 2 vjet pasi fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 4 tetor të vitit 2009, me premtimin për t’i kthyer paratë e humbura taksapaguesve grekë.

mit/NOA

KOMENTE