Vlorë, 6 nëntor 2011, NOA/ Update – Zbardhet vrasja, që tronditi lagjen “Isa Boletini” në qytetin e Vlorës, në këtë mbrëmje të ditës së shenjtë të “Kurban Bajramit”.
Është vërtet tronditëse, arsyeja pse u dergj i vdekur 37-vjeçari Rizvan Mataj, ndërsa po luante domino me disa persona të tjerë.
Korrespondenti i agjencisë NOA.al në qytetin e Vlorës bën me dije se autori i vrasjes, së 37-vjeçarit Rizvan Mataj, është 39-vjeçari Altin Leskaj, i cili e qëlloi me një plumb në zemër Matajn, duke e lënë të vdekur në vend, dhe pas tij plagosi edhe tre persona të tjerë, vetëm e vetëm pse bënin zhurmë duke luajtur domino në një zdrukthtari, që ndodhej në katin e parë të një pallati, ku autori i vrasjes kishte shtëpinë.
Korrespondenti i agjencisë NOA.al thotë se tre të plagosurit janë në gjendje të rëndë për jetën dhe janë shtruar në spitalin rajonal të Vlorës.
Ata janë dy vëllëzërit Zaim dhe Arben Çelaj dhe i riu Elidon Aliaj.
Policia e Vlorës arriti ta kapë autorin e vrasjes, Altin Leskaj, i cili rrëfeu gjatë marrjes në pyetje, se e kishte ekzekutuar viktimën për shkak se, e kishte shqetësuar duke bërë zhurmë.
mit/NOA