English

Greqia pret qeverinë e re

Athinë, 7 nëntor 2011, NOA – Greqia pritet të njohë sot qeverinë e re, e cila do të drejtojë vendin duke nisur nga dita e martë. Në fakt, gjithçka ligjërohet pas marrëveshjes së mbrëmshme mes kryeministrit Papandreu, kreut opozitës konservatore Samaras në takimin me presidentin grek Papulias.

Bankieri Lucas Papadimos mendohet se do të jetë pasuesi i kryeministrit aktual, por nuk përjashtohet për këtë detyrë emri i zëvendëskryeministrit aktual Evangelos Venizelos. Detyrat e menjëhershme të qeverisë së re janë miratimi i marrëveshjes së kredisë, sigurimi i lëvrimit të këstit të gjashtë të kredisë prej 8 000 000 000 €, miratimi i buxhetit të vitit 2012 deri në fund të nëntorit dhe përgatija e zgjedhjeve. Sipas planit, zgjedhjet e parakohshme ndoshta do të zhvillohen më 19 shkurt.

Telefonata mes Merkel e Papandreut

Kancelarja gjermane Angela Merkel i shprehu respektin e saj kryeministrit grek Papandreu për vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen. Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi Stefen Zaibert gjatë një konference për shtyp.Ai tha se, kancelarja Merkel vlerëson shumë atë çfarë arriti Jorgos Papandreu në krye të qeverisë greke. "Greqia ka nevojë për reforma të mëdha dhe masa të rëndësishme për kursimin e parave. Është një rrugë e vështirë, mirëpo është gjithashtu një rrugë e pashmangshme", theksoi Merkel gjatë bisedës telefonike me Papandreun. Të dy ranë dakord se prioriteti absolut i qeverisë tranzicionale do të jetë zbatimi i plotë i vendimeve europiane, para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. a.q/NOA

KOMENTE