...Shqiptari plehrat e veta i hedh, plehrat e të tjerëve i mbledh, vetvetes ia hedh”!...
Nga Edmond Tupja
Mbaj mend, që nga fëmijëria, një kashelashë që im gjysh ma thoshte me humor, kur e zinte rrufa dhe i kullonin hundët: “I varfri i hedh, i pasuri i mbledh”, para se të nxirrte shaminë e t’i shfrynte ato. Asokohe kishte njerëz që qurrat e gëlbazat i hidhnin përtokë, aq sa, në disa sheshe e rrugë kryesore të kryeqytetit tonë ishin shtruar disa pllakëza në asfalt ku lexohej: “Mos pështyni përtokë!”. Por, gjithsesi, të varfrit pa shami, përtokë që përtokë i hidhnin ato, madje pa u munduar shumë të mos binin në sy, teksa gishtërinjtë i fshinin mureve apo trungjeve të pemëve. Kjo kashelashë m’u kujtua këto ditë që po vlon debati për plehrat, siç i quan opozita xanxare, apo për mbetjet, siç i quan pozita pozëmadhe. Problemi është se ne, shumica e kualifikuar e shqiptarëve, nuk e kemi për gjë t’i hedhim plehrat ku të mundemi. Le të marrim, për shembull, rastin e thjeshtë të dikujt që, pasi ka ngrënë një drekë të mirë në restorant, largohet që andej dhe, tek ecën, nxjerr një çamçakëz nga xhepi, e shpështjell dhe e fut në gojë. Si vepron ai me letrën mbështjellëse që i ka mbetur në dorë? Në 99.99 për qind të rasteve e flak përtokë pa më të voglën brejtje ndërgjegjeje, ndonëse ka xhepa, duke bërë kësisoj, ndoshta edhe pa vetëdije, një gjest ndotës. Kjo ndodh jo vetëm me mbështjellëset e çamçakëzit, por edhe me shishet e qeset plastike, me shamitë prej letre, bishtat e cigareve, ambalazhet e hamburgerve e të sufllaqeve dhe deri te prezervativët. Por këto nuk janë asgjë në krahasim me qeset e plehrave shtëpiake që, edhe pse nuk hidhen më nga katet e sipërme, me t’u ngrysur, drejt e mbi kokat e kalimtarëve që ecin rrëzë pallateve, lihen qosheve, pavarësisht se kazanët e plehrave janë disa metra më tutje. Gjithsesi, ka edhe më keq: qosheve braktisen edhe mobilie, frigoriferë, lavatriçe, televizorë e soba elektrike, madje edhe makina të dala jashtë përdorimit. Me një fjalë, ne prodhojmë mbetje/plehra apo plehra/mbetje si gjithë popujt e tjerë, por as që duam t’ia dimë se ku i hedhim ato. Në këto kushte, debati për trajtimin e mbetje/plehrave ose plehra/mbetjeve të huaja, risjell, për rrjedhojë, në qendër të vëmendjes çështjen e ndotjes së mjedisit shqiptar nga vetë shqiptarët. Këtu qëndron thelbi i çështjes: po të ishim vërtet të pastër e të mos hidhnin ne vetë qoftë edhe një mbështjellëse çamçakëzi përtokë, do të kishim edhe më shumë të drejtë të indinjoheshim për importin e ardhshëm të mbetje/plehrave apo plehra/mbetjeve europiane. Nga ana tjetër, kush do të na i mbledhë në vendin tonë mbetje/plehrat apo plehra/mbetjet që prodhojmë? Ne vetë? Kjo më duket pak e mundshme duke pasur parasysh marrëdhënien tonë me mjedisin. Të huajt? Kjo më duket edhe më pak e mundshme për arsye që mund të merren me mend. E vetmja zgjidhje, fatkeqësisht afatgjatë, do të ishte, sipas mendimit tim modest, por të shqetësuar, edukimi i popullsisë me ndjenjën e mbrojtjes së mjedisit nga faktori… “homo albanicus”, pra, nga ajo vetë. Përpos kësaj, dua të besoj se problemi në fjalë është shtruar me tejdukshmërinë më të madhe dhe se askush, si nga pala jonë, ashtu edhe nga ajo e huaj, nuk është përlyer në asnjë lloj allishverishi, ndryshe sasisë së mbetje/plehrave ose plehra/mbetjeve për t’u trajtuar i duhet shtuar edhe shpirti i individëve në fjalë. Sido që të jenë e të venë punët, dëshiroj t’i them lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime, se me miratimin e ligjit për trajtimin e mbetje/plehrave ose plehra/mbetjeve të importuara, kashelasha që më thoshte im gjysh kur e zinte rrufa dhe ai i shfrynte hundët në shami, pëson detyrimisht njëfarë ndryshimi apo, më saktë, riaktualizohet duke u kthyer në “shqiptari plehrat e veta i hedh, plehrat e të tjerëve i mbledh, vetvetes ia hedh”!