English

Masakra në Vlorë, autori i dyshuar nuk duronte dot zhurmën

Vlorë, 6 Nëntor 2011 NOA Update – Autori i dyshuar i vrasjes së Rizvan Matajt dhe plagosjes së tre të tjerëve, është shoqëruar para pak minutash nga policia e Vlorës, raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.

Altin Xhevat Leskaj, 39 vjeç, lindur e banues në lagjen “Osman Haxhi” në qytetin e Vlorës, vlerësohet nga policia lokale si i vetmi i dyshuar për masakrën e pasdites së sotme tek rruga “Isa Boletini” në qytetin jugor bregdetar.

Nga hetimi paraprak bëhet e ditur se i dyshuari i ka qëlluar me një armë zjarri të tipit pistoletë e cila iu sekuestrua gjatë shoqërimit, pak orë pas krimit.

Bëhet e ditur se krimi erdhi si pasojë e një konflikti të ndodhur në çast. Personi i vrarë si dhe tre të plagosurit, luanin poshtë hyrjes së pallatit ku banon Leskaj. Por teksa luanin domino ata ishin të zhurmshëm në lojë e sipër.

Kjo situatë ka acaruar Altin Leskajn, i cili u ka kërkuar të mos bëjnë zhurmë pasi jeton në katin e parë të pallatit dhe nuk duronte dot zhurmën.

Duket se situata është acaruar shumë, aq sa Leskaj me një pistoletë që kishte, ka hapur zjarr ndaj katër burrave duke vrarë një prej tyre e plagosur tre të tjerët, teksa luanin domino në hapësirën pranë pallatit, adoptuar si punishte marangozësh.

Burime zyrtare policore i konfirmuan agjencisë NOA.al se i vdekur ka mbetur Rizvan Mataj rreth 39 vjeç, lindur në Kropisht dhe banues në qytetin e Vlorës. Kurse të plagosur janë Zaim Çelaj, 33 vjeç, Arben Çelaj, 42 vjeç dhe Elidon Aliaj, 27 vjeç.

e.t/NOA

KOMENTE