English

Qeveria e re e Greqisë, Lukas Papadimos kandidat për kryeministër

Athinë, 6 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani - Lukas Papadimos mund të jetë emri, që do të drejtojë qeverinë e re të koalicionit, e cila do të çojë Greqinë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ish-zv/presidenti i Bankës Qendrore Evropiane duket se ka pëlqimin e dy liderëve kryesorë të politikës greke, kryeministrit aktual Jorgos Papandreu dhe kreut të opozitës, Antonis Samaras.

Kryeministri grek Jorgos Papandreu dhe lideri i opozitës, Antonis Samaras gjetën gjuhën e përbashkët për formimin e qeverisë së re të tranzicionit pas disa orë negociatash.

Arritja e marrëveshjes është bërë e ditur përmes një komunikate për shtyp të zyrës së presidentit Papulias, i cili ndërmjetësoi takimin mes liderëve të dy partive më të mëdha politike në vend.

Sipas marrëveshjes, qeveria e re e tranzicionit, që do të nisë punën më 8 nëntor, do të miratojë edhe masat antikrizë të përcaktuara nga samiti i Eurozonës për Greqinë, si dhe do të përgatisë vendin për zgjedhjet e parakohshme.

Kryeministri aktual Jorgos Papandreu ka pranuar kushtin e kreut të Demokracisë së Re, për të mos qenë në krye të qeverisë, që do të krijohet së shpejti.

Dy liderët, së bashku me krerët e partive të tjera politike, do të mblidhen sërish të hënën, në selinë e presidencës, për të diskutuar edhe për personin, që do të drejtojë kabinetin e ri qeveritar.

Ajo çka mbetet për t’u diskutuar mes dy liderëve është data e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat me shumë gjasë do të mbahen brenda muajit shkurt.

Ndërkaq liderët e Bashkimit Evropian mblidhen të hënën në Bruksel për të diskutuar për fatin e ndihmës për Greqinë, që u pezullua pas kërkesës së Papandreut për zhvillimin e një referendumi popullor për implementimin e masave evropiane antikrizë.

mit/NOA

KOMENTE