Nga Rexhep Meidani
Një problem serioz Një ditë para Kongresit të PS-së, në shumë kanale televizive u zhvilluan debate politike-ekonomike. M’u duk se dhe unë, në një mënyrë apo tjetrën, kisha dhënë kontributin tim në nxitjen dhe zhvillimin e tyre, nisur dhe nga një shkrim i një dite më parë në gazetën “Panorama”, me titull timin “A mund të hapen 300.000 vende pune brenda një mandati qeverisës!?…”. Pavarësisht “lojës politike-redaktoriale”, apo “zhyerjes” në të zezë të një pjese të materialit në shtypshkronjë (të paktën në kopjet që unë dhe disa miq të mi patën në dorë!), ai mishëronte me germa, me pika e presje të gjithë atë që unë mendoja dhe argumentoja me shifra konkrete për çështjen në fjalë. Pa dyshim, pa pretenduar për një të vërtetë absolute. Por, duke u bazuar në një përllogaritje të përafërt mbi koston e një vendi pune, kosto që në vetvete nuk është çështje retorike politike, por çështje numrash. Aq më tepër që sot, jo vetëm në ekonomi, por kudo, përfshi dhe prodhimin apo përdorimin e bojërave, futen shifrat, numrat, kompjuteri!… Çudia e madhe ishte nisja e një furtune në gojë uji. Për më tepër, deri tani nuk kam ndeshur ndonjë llogaritje konkrete kundërshtuese, veçse shpalosje politike e retorikë mjerane. Le të shpresojmë për më shumë kohë e axhustim!… Natyrisht, më erdhën në vesh dhe ca “zhurma” të orientuara qartësisht kundër, por kjo nuk përbën një shqetësim në vetvete. Aq më pak që të kem ndonjë “qejfmbetje” personale ndaj servilizmit për mbijetesë politike. Në fakt, shqetësimi im i vërtetë lidhet (me dashje apo pa dashje) me ngatërrimin partiak të përmbajtjes së konceptit dhe rolit të specialistit me atë të propagandistit, mishërimit në praktikë të tij. Këtu është dhe gabimi, këtu nis paaftësia e inkapaciteti, aty projektohet dështimi! Aq më tepër që gjatë disa debateve televizive apo përpjekje shkrimore, kjo çështje u shfaq në mënyrë të dukshme për përfaqësuesit e partive kryesore, të ftuar si specialistë dhe të shndërruar, si në mjaft raste të tjera, nën urdhrin e njëshit, në thjesht propagandistë. Krejt ndryshe nga analiza aspak partizane e shumicës së përfaqësuesve të shoqërisë civile apo medias neutrale… Monopoli i propagandës dhe rreziku i tij Propaganda lidhet me partitë politike, sindikatat, asociacionet e biznesit, organizimet në bujqësi, bashkimet patriotike, kishat, shkollat apo agjencitë. Ajo, pa dyshim, ka vlerën e saj brenda një përmase të arsyeshme. Madje, një propagandë normale që nxit, analizon e vlerëson me saktësi ngjarjet e njerëzit, nuk ka arsye që të “kanalizohet” në mënyrë pezhorative. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një propagandë pozitive në përputhje me parimet demokratike, në shërbim, ruajtje dhe zhvillim të demokracisë. Përkundrazi, një propagandë antagoniste e minon harmoninë, shumëllojshmërinë, bashkëpunimin, madje e shkatërron demokracinë… Por, pse ndodh një gjë e tillë? Me të drejtë, shumë vite më parë, në një nga gazetat e mëdha amerikane theksohej se jo propaganda, por monopoli i saj ishte dhe rreziku i propagandës, pra dhe i vetë demokracisë. Sepse çdo propagandë apo sulm pa argument prej çdo protagonisti, çdo akt apo pohim që tenton të reduktojë lirinë tonë (politike, ekonomike, sociale e fetare) kthehet në një armik të kësaj lirie. Madje, në diskutimin e çështjeve kryesore e parimore, çdo lloj propagande që tenton të mbartë apo të ruajë monopolin ndaj këtij diskutimi, është tërësisht antidemokratike, madje tepër e rrezikshme. Vetë cinizmi i një propagande të tillë bëhet shkatërrimtar ndaj lirisë, liberalizmit, hapjes e demokratizimit. Për fat të keq, kjo ndeshet jo rrallë në mjedisin politik e partiak shqiptar. Nga kjo nuk shpëtoi dot as diskutimi i fundit. Një propagandë e njëanshme e favorizon autokracinë Një propagandë bëhet akoma më problematike kur favorizohen realitete jo pozitive autokratike, fsheh konfliktin e interesave apo përpiqet ta shmangë atë, mbulon korrupsionin politik, provokon e krijon deformime konceptore, deri ushqen mosbesim e frikë, kërcënon jetën e qytetarit. E thënë ndryshe, kjo lloj propagande agresive kthehet kështu në një instrument agresioni, një mjet për paralizë individuale ose kolektive ndaj një ideje, veprimi e aksioni konkret. Kjo është parë në histori në momente të ndryshme, si p.sh. propaganda tepër e fuqishme naziste në pushtimin e sudetëve nga Gjermania. Natyrisht, sot diferencimi e stërhollimi propagandistik është krejt tjetër, aq më tepër kur futet në lojë edhe media sociale. Veçse, në të gjitha rastet, propaganda në vetvete ndryshon në mënyrë fundamentale nga analiza shkencore. Propagandisti synon të përcaktojë të mirën apo të keqen, por, ama, për interesa të caktuara, politikisht (pse jo dhe ekonomikisht) të paragjykuara. Kurse profesionisti apo specialisti përpiqet të dallojë faktet e rëndësishme dhe parimet bazë për një veprim e sjellje të dhënë. Propagandisti e ka frikë ballafaqimin, nuk e parapëlqen kritikën dhe kontrollin e imtësishëm, kurse profesionisti i vërtetë e parapëlqen ballafaqimin, synon kontrollin, e vlerëson kritikën në rishikimin apo tretjen (dixhestionin) sa më të thellë të fakteve e ideve bazë. E thënë ndryshe, specialisti që e synon argumentin shkencor, e përjeton dhe e nxit kritikën, kurse propagandisti e mbulon apo e sulmon atë; aty ai gjen një tokë të pasigurt, një terren në lëkundje. Në këtë kuptim, në raste të parëndësishme, një aksion i synuar apo realizuar nga një propagandist mund të bëhet jo pak i rrezikshëm. Por dhe në këto raste, aq më shumë në situata më problematike, pavarësisht shfaqjes triviale të dobësive të tij në argumentim, sjellje e veprim, ai përsëri duhet mbajtur nën kontroll, qoftë dhe me energji e përpjekje të shumëllojshme. Në përgjithësi, propaganda tërësisht e orientuar (akoma më shumë si instrument “agresioni”) është një formë komunikimi, që synon të ndikojë sjelljen e komunitetit ndaj një shkaku apo pozicionimi në shërbim e përfitim të një individi apo të grupit rreth tij. Në një mënyrë apo tjetrën, kjo rrezikon lirinë në zonën rrethuese. Si kundërshti ndaj furnizimit të një informacioni në shërbim të të gjithë qytetarëve, propaganda e orientuar, në thelbin e saj, ka si synim ndikimin e audiencës, orientimin e “frymëzimin ” e saj. Për më tepër, ajo, në kushte deformimi, e mbështetur në pseudo-fakte apo fakte të paraqitura në mënyrë selektive (duke manipuluar e shformuar të vërtetën), synon të inkurajojë orientime e sinteza të veçanta, deri duke shfrytëzuar mesazhe tepër të ngarkuara për të prodhuar një përgjigje e sjellje emocionale, krejtësisht jo racionale. Rezultati i dëshiruar është një ndryshim i qëndrimit ndaj subjektit në audiencën e një axhende politike (p.sh., një sallë kongresi apo asambleje) apo në çfarëdo lloj axhende tjetër, autokratizimi i tij. Pra, propaganda bëhet kështu një formë apo armë jo demokratike e luftës politike. Kur abuzimi tejkalon kufijtë, vetë termi i propagandës merr konotacione të pastra negative, duke u asociuar me shembuj manipulues e shformues, larg përmbajtjes neutrale, duke u bërë një “ushqim beninj” për shëndetin publik, atë partiak apo të një formacioni tjetër politik, kulturor e social. Aq më tepër, po të tentohet të ngacmohet nëpërmjet çmendurisë individuale ajo kolektive, veçanërisht nëpërmjet lojës me emocione konkrete larg arsyes, analizës, racionalitetit. Disa pamje konkrete të propagandës Një ndër “teknologjitë” e njohura të propagandës është “loja me emra”. Në këtë rast mund të vendoset një lidhje reale midis idesë dhe emrit të përdorur. Madje, për t’i dhënë vlerë një ideje apo për ta hedhur poshtë atë, përdoret një emër konkret. Kështu, në raste të tilla, propaganda dhe propagandistët për të prodhuar e mbjellë ndrojtje deri frikë, i paragjykojnë individët, idetë e tyre apo disa aktivitete të caktuara duke shfrytëzuar fyerjen, negativitetin, emërtimet manipuluese deri duke krijuar një opinion apo situatë të pafavorshme, deri urrejtje, ndaj këtyre individëve, një grupi, besimi, ideje apo institucioni; për të nxitur denoncimin dhe për të paralizuar veprimin e mendimin e mëtejshëm të tyre. Në këtë mënyrë arrihet në gjoja përfundime pa i ekzaminuar faktet. E thënë ndryshe, nëpërmjet lloj-lloj “pagëzimesh”, hidhet poshtë apo goditet personi, merita, ideja e veprimi pa kontrollin e detajuar të fakteve e provave, shmanget plotësisht analiza e argumentimi i tyre. Shpesh, një gjë e tillë shoqërohet me sulme, fyerje e sarkazma, qoftë në trajtimin politik publik, qoftë në atë të shkruar. Në këtë mënyrë, duke e “niveluar” keq apo me keqdashësi një ide apo veprim, qëllimi është për ta goditur atë pa e ekzaminuar apo pa vlerësuar pasojat e mundshme të saj, qofshin ato pozitive ose negative… Kjo është e njohur në historinë politike, sidomos në shkatërrimin e reputacionit, karrierës së individit deri në burgosjen e tij. Mbi të gjitha, për t’ia mbyllur gojën e shmangur reagimin e tij. Në momente të caktuara, kjo është shfaqur dhe në marrëdhëniet midis grupeve, shteteve, kombeve e racave. Edhe në politikën shqiptare ndeshet kjo teknologji propagandistike. Me këtë lidhen pagëzime të tilla të kohëve të fundit, si “antiglobalist”, “bllokmen”, “marksist”, “horr bulevardi”, “aleancë plehrash” etj. Mund të shtrohet pyetja: a ka ndonjë lidhje emërtimi apo pagëzimi me idenë apo veprimin, me personin apo grupin konkret? Jo patjetër, por kryesore është për ta zhvlerësuar vetë idenë, për të hedhur poshtë, për ta “skualifikuar” individin (grupin) pa i ekzaminuar faktet dhe të dhënat e tjera Një “teknologji” tjetër është mbulimi me “gjuhën e shkëlqimit”. Në këtë rast, mbështetur në gjoja virtyte, synohen të sugjerohen e pranohen ide e veprime, sende e individë (bashkësi) pa kontrolluar vërtetësinë apo cilësitë e tyre. Në raste të tilla, për qëllime të mbrapshta propagandistike aty mund të krijojnë jo pak shqetësime. Aq më tepër që gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm mund të shfrytëzohen në mënyra të ndryshme. Propaganda e propagandistët shfrytëzojnë pohime të vagëta, formulime lustruese, shpesh dhe slogane e lojëra fjalësh, retorikë pa përmbajtje për ta tërhequr audiencën pa furnizuar informacion shtesë apo argumente kryesore. Në këtë lloj teknologjie propagandistike, përpunohen gjithashtu dhe koncepte të tilla, si ai i nderit, lavdisë, dashurisë për atdheun, për paqen, lirinë, vlerat e familjes etj. Edhe në këtë rast, fjalët dhe frazat mbeten të vagëta dhe sugjerojnë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Madje, bëhet e vështirë të ndahet e vërteta nga e gënjeshtra, realiteti nga falsiteti. Për më shumë, aty krahas retorikës ose thuhet shumë pak, ose nuk thuhet asgjë. Por, thelbi aty është synimi për pranim e miratim pa evidencë konkrete, pa ekzaminim provash e faktesh. Nuk mungojnë rastet kur propagandistët konsiderohen si mjaft efektivë kur na krijojnë djaj për t’i luftuar apo zota për t’i adhuruar! Madje, mund të shkohet deri atje sa si djaj mund të klasifikohen individë, grupe, parti politike, politika e praktika konkrete, kombe, raca, etj., jo vetëm për t’i urryer por dhe për t’i luftuar, deri në asgjësim(!). Dhe anasjelltas! Prandaj nuk duhet të mbyllen, por të reagohet ndaj kësaj propagande të rrezikshme. Në propagandë ndeshet edhe “teknologjia” e transferimit. Aty synohet transferimi i autoritetit (apo sanksioneve) e prestigjit të dikujt ose diçkaje diku tjetër për t’i bërë ato sa më të pranueshme. Me fjalë të tjera, mbartet autoriteti, prestigji nga një individ apo send në një tjetër, pikërisht për ta bërë të pranueshëm këtë të fundit, apo e kundërta, për ta hedhur poshtë atë apo për të mos e miratuar atë. Me simbolet, flamurin, emocionet e lidhura me to etj., lidhet shpesh dhe autoriteti i një kryetari partie, edhe kur ai në vetvete nuk e ka kapacitetin, aftësinë e dashurinë, mençurinë e kompetencën për një detyrë të këtillë. Pikërisht emocione të tilla shfrytëzohen nga propagandistët e propaganda për t’i mbuluar këto mangësi tepër serioze, për të na bindur për të kundërtën, qoftë dhe për të fituar miratimin tonë. Problemi bëhet akoma më kompleks kur manovrimi bëhet ilegjitim. Një teknikë tjetër është ajo e dëshmisë, e besimit apo e rekomandimit për një ide, produkt apo veprim, me të cilët lidhet një person me emër si ekspert, lider apo menaxher, apo dhe vetë produkti me “vulën” përkatëse. Por a ka vlerë vetë ideja apo prodhimi pa këtë dëshmi?! Në mjaft raste, jo! Sidomos kur një dëshmi e tillë vjen nga persona të pretenduar si ekspertë, të shpallur si autoritete, por ama të pavlerësuar nga të tjerët, qoftë dhe me “kredenciale” minimale. Në propagandë ka një farë suksesi edhe teknika e njeriut “babaxhan” apo atij të popullit, me sjellje e gjuhë të thjeshtë, me ndjesi e zemër ndaj interesit të përgjithshëm, me edukim e origjinë që sjell besim e respekt. Nuk mungon dhe rasti i teknologjisë së “hipjes në një tren në ecje”, e thënë ndryshe teknologjia e një audience që ndjek turmën, për të krijuar përshtypjen e një mbështetjeje të gjerë. Natyrisht, në këtë lloj propagande, “luhet” me dëshirën njerëzore për të qenë në anën fituese, sidomos kur preken ndjesi të tilla si vetmia e izolimi. Kjo lloj propagande shfrytëzon eksitimin e turmës, deri linçimin prej saj, por dhe ngutjen për t’iu bashkuar pa vonesë këtij treni. Duket sikur mund ta fuqizojë një parti politike, por ama mënjanon filtrimin e përzgjedhjen, shmangien deri diku të “plehrave” që me armën e servilizmit gjejnë rrugën e pamerituar të rritjes, përfshirjes, deri përfitimit. Shpesh përdoret dhe një teknologji tjetër më e sofistikuar, e quajtur në anglisht dhe “Card Stacking”. Me këtë lloj propagande synohet që paketimi i fakteve apo “letrave” të bëhet në favor të njërës anë apo palë kundër tjetrës, madje duke i shitur pseudofaktet si argumente, ose faktet si përfundime. Pra, përzgjidhen faktet, deri duke i falsifikuar ato, manipulohen ilustrimet apo krijohet konfuzion e pakënaqësi, duke përzier pohimet logjike me ato jo logjike etj. E thënë ndryshe, propagandisti bashkon apo paketon kartat kundër të vërtetës. Epilog Për të mos u përfshirë në një polemikë të pavlershme, po ia kaloj lexuesit analizën e këtij klasifikimi, por dhe dëshirën time, besoj dhe të tijën, që me propagandë të pabukë ekonomia nuk mund të ecë përpara. Ajo ka nevojë për mendjen e zemrën, zërin, energjinë dhe angazhimin e specialistit, kthjelltësinë publike, paanësinë partiake të tij.
Gazeta "Panorama"