Qeveria federale gjermane ka kthyer mbrapsht njoftimet, sipas të cilave shpëtimi i euros ka mbërritur deri tek rezervat në ar të Bankës Federale.
Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” njofton se presidenti amerikan Barack Obama, presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministri britanik David Cameron patën propozuar në takimin e G-20 në Kanë të plotësojnë nevojat e paketës për shpëtimin e euros me një pjesë të rezervave në ar dhe deviza.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, hodhi poshtë këto njoftime: "Nuk ka asnjë shkak për të spekulluar me rezervat e arit të Republikës Federale Gjermane. Këto rezerva nuk kanë qenë aspak temë e takimit të G-20 në Kanë."
Shefi i bankës Deutsche Bank, Josef Ackermann, foli për rritjen e forcës financiare të fondeve të shpëtimit. Por, paralajmëroi njëkohësisht për rreziqet, që ekzistojnë, nëse përdoren për këtë rezervat e arit të Bankës Federale.
Shefi i Bankës Gjermane kujtoi përparësitë, që ka zgjidhja me anë të sigurimeve, citon radio DW:
"Ne nuk duhet t`i afrohemi Bankës Federale ose bankave të tjera vetëm nëpërmjet rrugëve indirekte, por duhet të kërkojmë edhe mundësi të tjera. Ne kemi folur për përparësitë e zgjidhjes nëpërmjet sigurimeve, ajo mund të zbatohet tani, kjo do të rriste në mënyrë të ndjeshme paketën e ndihmës."