Prishtinë, 8 nëntor 2011, NOA- Mediat kosovare raportojnë se Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në stafin e tij nuk ka këshilltar për çështje ekonomike. Të paktën jo zyrtarisht, ngase në listën e këshilltarëve të tij në faqen online të Kryeministrisë janë të njëjtit emra që këshilluan kryeministrin në mandatin e kaluar, ndërsa ka zhvilluar gjithsejtë shtatë vizita jashtë vendit deri me tani. Nga nëntë këshilltarët që janë pjesë e kabinetit të kryeministrit, tetë prej tyre figurojnë si këshilltarë politikë, ndërsa i nënti këshilltar për çështje të komuniteteve, informon agjencia e lajmeve Kosovapress. Lista e këshilltarëve të kreut të Qeverisë nis me Bekim Çollakun, i cili është këshilltar i lartë politik, ndërsa vazhdon me këshilltarët tjerë politikë: Lirim Greiçevci, Dhurata Hoxha, Mrika Kotorri, Fadil Hysa, Dukagjin Gorani, Ismail Syla dhe Blerim Latifi. Ndërkaq Serxhan Sentiç është emëruar kohë më parë në kabinetin e kryeministrit, si këshilltar për çështje të komuniteteve. Nga gjithë kjo listë, asnjë prej këshilltarëve nuk figuron si këshilltar për çështje ekonomike. KosovaPress ka kërkuar nga zyra për informim e Qeverisë së Kosovës të dhëna për biografitë e këshilltarëve, nëse ka ndonjë këshilltar për çështje ekonomike, apo për ndonjë këshilltar të jashtëm, mirëpo përgjigjja e vetme ka qenë orientimi në faqen online të Kryeministrisë. Përgjigje të njëjtë Zyra për Informim ka dhënë edhe në kërkesën për një shifër të vizitave që kryeministri Hashim Thaçi i ka realizuar jashtë vendit që nga zgjedhja e tij kryeministër në mandatin e dytë. Sipas faqes zyrtare të Kryeministrisë që nga fillimi i vitit kur kabineti i ri qeveritar është votuar në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar gjithsej shtatë vizita jashtë vendit, në SHBA, në Belgjikë, Slloveni, Shqipëri, dy herë në Turqi dhe së fundi në Austri. Kohë më parë gazeta gjermane "Der Tagesspigel" në një artikull për Kosovën ka shkruar se kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i janë refuzuar 27 kërkesa për vizita në vende të ndryshme dhe takime me burrështetas të ndryshëm. Sipas kësaj gazete, vizitat nga shtetet e ndryshme janë refuzuar për shkak të dyshimeve se i pari i Qeverisë së Kosovës "është i përlyer në krim të organizuar”.
a.q/NOA/Kosovapress