Athinë, 8 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Emri i ish-zv/presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Lukas Papadimos ka dalë sërish në sipërfaqe, për më tepër, që bankieri 64-vjeçar, duket se është i preferuari i Brukselit për zgjidhjen e krizës së borxheve në Greqi.
Bankieri Papadimos, i cili ka mbërritur mbrëmë në Athinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kërkoi kreut të opozitës Antonis Samaras, që Qeveria e Unitetit të jetë më afatgjatë se katër muaj, si dhe që në përbërje të kabinetit të tij të ketë përfaqësues nga partia më e madhe e opozitës, “Demokracia e re”.
Kjo kërkesë duket se është pranuar nga Samaras.
Greqia është në pritje të konfirmimit të emrit të ri të kryeministrit, dhe duket se odisea e negociatave mes dy liderëve të PASOK-ut, Jorgos Papandreu dhe atij të opozitës, Antonis Samaras do të marrë fund sot me finalizimin e emrit, që do të vërë në jetë miratimin e marrëveshjes për planin e shpëtimit të Greqisë dhe masave antikrizë të BE-së dhe do të përgatisë vendin për zgjedhjet e parakohshme.
Ky triller politik për qeverinë e re, i cili ka rrëmbyer prej disa ditësh vëmendjen e mediave ndërkombëtare pritet të përmbyllet me sukses në mesditën e të martës.
Në tryezën e qeverisë greke, kryeson si kandidat për kryeministër ish-zv/presidenti i BQE-së Lukas Papadimos, por janë kandiduar edhe dy emra të tjerë, ai i përfaqësuesit të Greqisë në FMN, Panajotis Roumeliotis, i cili vjen nga Uashingtoni, dhe Avokati Evropian të Popullit, Nikiforos Diamanduros.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Elias Mossialos, mbrëmjen e të hënës, lëshoi një deklaratë të thjeshtë, duke thënë se kishte qasje pozitive lidhur me emrin e kryeministrit të ri.
Ndërkohë, që gazeta greke “Ta Nea”, bëri me dije të hënën vonë, se ende nuk ishte konfirmuar marrëveshja e dy liderëve politikë grekë për emrin e kryeministrit.
Edhe vetë kreu i opozitës, Antonis Samaras, pas daljes nga takimi i tejzgjatur i negociatave, ktheu një përgjigje të dremitur për mediat, që prisnin me çdo kusht të mësonin emrin e kryeministrit të ri grek, duke mohuar nën zë, emrin e Roumeliotis.
Megjithatë, analistët grekë e interpretojnë heshtjen e pozitës dhe opozitës greke si një përpjekje për të mbrojtur rezultatin përfundimtar të negociatave, që me shumë gjasë ka marrë formë plotësisht.
mit/NOA
Në foton e parë: Lukas Papadimos, kandidati kyç për kryeministër.
Në foton e dytë: Antonis Samaras, Jorgos Papandreu