Moskë, 8 nëntor NOA - Një person rus është arrestuar në momentin që policia zbuloi se ai mbante në shtëpi 29 trupa njerëzish të mumifikuar dhe të shndërruar në kukulla. Sipas asaj çka është pohuar nga zëdhënësi i ministrit të brendshëm, Valery Gribakin, i dyshuari me origjinë nga qyteti i Nizhny Novgorod ka grumbulluar kufoma nga varreza të zonave të ndryshme dhe më pas i ka veshur me rroba të vjedhura po nga ato varreza. Gribakin ka shtuar gjithashtu se personi në fjalë nuk është aspak i zakonshëm, por një autor i shumë librave, ku megjithatë identiteti i tij nuk është bërë ende i ditur. Arrestimi erdhi pas një hetimi të policisë që u krye në varrezat e zonës, ku fillimisht diçka e tillë u mendua të ishte kryer nga grupe ekstremiste. Sipas medieve ruse, personi në fjalë kishte zgjedhur trupa të femrave të reja për koleksionin e tij makabër. r.b/NOA