English

Kushtetuesja rrëzon Gjykatën e Lartë, reagimi i plotë nga Orik e Leart Shyti

Tiranë, 7 Nëntor 2011 NOA - Gjykata Kushtetuese ka shpallur sot vendimin për çështjen e njohur gjerësisht me emrin “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”.

Gjykata, ndonëse nuk i ka pranuar të gjithë argumentet e parashtruara në kërkesë, njëzëri ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për arsye se është cenuar e drejta kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor.

Lajmi u konfirmua për agjencinë lajmeve NOA.al nga të akuzuarit në këtë çështje që ka kaluar prej vitesh kalvar gjyqësor.

Leart e Orik Shyti pohojnë se “rëndësia e vendimit nuk ka të bëjë me të ndierit tonë fitues dhe të gëzuar. Nuk ndihemi fitues. Nuk u ndiem të tillë as në vitin 2003, kur u dha vendimi i parë i pafajësisë”.

Deklarata e plotë e Leart dhe Orik Shyti:

“Gjykata Kushtetuese Sot, më 07.11.2011, shpalli vendimin për çështjen tonë, e njohur gjerësisht me emrin “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”. Gjykata, ndonëse nuk i ka pranuar të gjithë argumentet e parashtruar në kërkesë, njëzëri ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për arsye se na është cenuar e drejta kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor.

Me qindra herë Sali Berisha ka deklaruar botërisht se ne kishim krijuar organizatën kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” dhe se, në zbatim të platformës së saj, kishim kryer dhjetëra krime. Gënjeshtrave dhe shpifjeve të tij u jemi përgjigjur me fakte. Në dosjen gjyqësore ndodhen të administruara dëshmi dhe të tjera prova, shkresore dhe shkencore, që faktojnë se Saliu është ati, nuni dhe pagëzori i “Hakmarrjes Shqiptare për Drejtësi”. Megjithëkëtë, ai ka vazhduar të shpërndaj shpifje sa herë që është në vështirësi. Shpifjen më të fundit publike e bëri në mesin e verës së këtij viti. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike deklaroi se Edi Rama kishte përdorur “Hakmarrjen” për të dërguar mesazhe kërcënuese “drejtuesve të institucioneve të pavarura” me qëllim që të pengohej numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara. Me shpifje si kjo dhe me kërcënime të adresuara tek njerëzit e drejtësisë, arriti të na zvarriste për 15 vjet në dyert e gjykatave.

Një vit më parë, kishim menduar se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë do na jepte pafajësinë. Por Kolegji Penal refuzoi ta gjykonte çështjen. Atë ditë, ndiem se u venitën edhe shpresat e anëtarit më optimist të familjes sonë për ta zgjidhur çështjen në Shqipëri.

E kemi bërë disa herë të qartë se shqetësim për ne nuk ka qenë pafajësia, por gjykimi i çështjes sipas ligjit dhe provave. Mirëpo qëndrimet e kundërligjshme të gjyqtarëve, të imponuara nga Sali Berisha, e bënë të pamundur gjykimin sipas ligjit dhe provave. Këto qëndrime na kishin bërë të humbnim besimin se mund të gjykoheshim nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë që ishte e domosdoshme t’i drejtoheshim kësaj gjykate, në të kundërt humbnim të drejtën për të kërkuar drejtësi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Rreth katër muaj pasi Gjykatës i kishim paraqitur kërkesën, ndodhi ajo që nuk prisnim. Administrata na njoftonte se Mbledhja e Gjyqtarëve kishte vendosur ta shqyrtonte çështjen në seancë plenare. Bindja jonë kishte qenë e gabuar. Pendesa qe e para gjë që i shprehëm njëri-tjetrit. U përgjigjëm se morëm dijeni, por patëm drojë të kërkonim ndjesë. Patëm drojë nga dyshimi se mund të keqkuptoheshim.

Gjykata Kushtetuese nuk mund ta rrëzonte kërkesën për arsye se nyjën nuk e mbanin të lidhur provat dhe ligji, por guximi i munguar i gjyqtarëve për t’u përballur me presionet poshtëruese e shkatërruese të Sali Berishës. Ende kundërmojnë ndotësitë e shpërndara nga goja e tij. Gënjeshtra dhe shpifje pa anë e fund për “Hakmarrjen”, për ne me emra të përveçëm, për lidhjet tona familjare, miqësore dhe shoqërore; fyerje, kërcënime, poshtërime të llojeve nga më të pamenduarat të adresuara botërisht për politikanë, gjyqtarë, prokurorë, për familjarë të tyre, për policë dhe funksionarë policie. Nga goja e tij “pikojnë çezma me helm të zi”, siç shprehet Dritëroi me vargje, çezma që kanë helmuar jetën tonë, të njerëzve të afërt, por edhe të shumë njerëzve të tjerë, me të cilët nuk na lidhte gjë dhe, njëherësh e shumë fortë, kanë helmuar Drejtësinë.

Pafajësia jonë ka qenë e ulur këmbëkryq në dokumentet e falsifikuara që prokuroria i ka paraqitur gjykatës. Gjykata e Shkallës së Parë e ka pasur të lehtë ta argumentonte pafajësinë, por e ka pasur shumë vështirë ta shprehte. Në të vërtetë e shprehu në shkurt të vitit 2003, por vendimi i saj jetoi pak muaj. Berishën e pushtoi tërbimi. Mesa u duk nga klithmat, që shprehnin trazime të thella, të kuptueshme e të pakuptueshme, nuk e kishte pritur që një gjykatë të gjente kurajë të deklaronte të pafajshëm ata që ai i kishte quajtur fajtorë për të gjitha krimet që kishin ndodhur gjatë sundimit të tij të parë. Gjyqtarët i shpalli anëtarë të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Shefi i Akuzës ia shprehu besnikërinë flakë për flakë. Me zellin e shërbëtorit pa dinjitet personal dhe profesional, pa ngritur akuzë sipas ligjit, i shpalli gjyqtarët “frikacakë, që e kishin dhënë vendimin nën presion”.

Për të arritur qëllimet e tij, Berisha, ashtu siç nuk u ndal nga vendimi i gjykatës i muajit shkurt 2003, nuk u ndal as kur Gjykata e Lartë e Zvicrës u shpreh se “Hakmarrja” nuk ekzistonte, se: “Berisha inskenoi një shou politik fantazie me një grup terrori...”. Nuk u ndal as kur gjykata e ApelitBelgjikë shprehu të njëjtën gjë, duke vënë në dukje përpjekjet e shërbëtorëve të tij: “për të instrumentalizuar policinë dhe drejtësinë belge...”. Nuk u ndal as pasi një Kolegj, me gjyqtarë nga më të respektuarit në Zvicër, u shpreh me vendim se: “i gjithë procesi është inskenuar nga klika e Berishës”. Nuk u ndal as kur një gjykatë tjetër në Holandë vendosi që vëllezërit Novruzaj të merreshin në mbrojtje nga shteti holandez, sepse përndiqeshin padrejtësisht nga Sali Berisha. Nuk u ndal as kur ekspertë të OSBE-së, që monitoruan procesin gjyqësor për dy vjet, në nëntor të vitit 2006 dhanë konkluzione si të porsa cituarat dhe theksuan se prokuroria nuk duhet ta kishte çuar çështjen për gjykim as në vitin 1998.

Saliu ka dhënë prova se qëllimi, për të cilin e sajoi “Hakmarrjen”, është shumë i rëndësishëm për të. Prandaj nuk ka të ngjarë të ndalet as nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që, po ta shprehim me shifra, siç atij i pëlqente të shprehet për vendimet e Kolegjit Zgjedhor të këtij viti, është 9 me 0. Por jo për ta zbardhur, por për ta nxirë edhe më shumë shpirt-e-faqeziun.

Ndoshta sot a nesër, do t’u bëjë të njëjtën akuzë fyese edhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; ndoshta, meqë ka nja dy vjet që përsërit gënjeshtrën se respekton Kushtetutën, institucionet e pavarura, posaçërisht vendimet e gjykatave, “në nderim të tyre” do t’i shtrëngojë dhëmbët dhe helm e vrer bashkë do t’i zbrazë në tjetër formë, jo botërisht.

Sido që të shfaqet në skenë dhe çfarëdo që të kurdisë në prapaskenë, vendimi është dhe do të mbetet i rëndësishëm. I rëndësishëm, por jo se po na shpëton nga vuajtjet e burgut që Saliu na caktoi, sepse prej kohësh drejtësia e disa vendeve evropiane na ka marrë në mbrojtje, përkundër ulërimave të tij, kinse prej luftëtari për drejtësi, kundër “organizatës kriminale më të rrezikshme të Evropës”. Ulërima që transkriptoheshin dhe mbërrinin me shpejtësi në gjithë shtetet e Evropës në rrugë policore, diplomatike dhe mediatike. Ç’ironi! Evropa mbron një grup shqiptarësh edhe pse sundimtari i shtetit të tyre i thotë me ngulm se është e rrezikuar, ngaqë ata janë terroristë, vrasës dhe vjedhës! Fatkeqësisht në Tiranë mungojnë gojët për ta shprehur habinë, qoftë edhe duke i drejtuar pyetjen e pafajshme: kaq e rrjedhur qenka Evropa sa beson kriminelët dhe jo ty, të parin e Shqipërisë?

Rëndësia e vendimit nuk ka të bëjë me të ndierit tonë fitues dhe të gëzuar. Nuk ndihemi fitues. Nuk u ndiem të tillë as në vitin 2003, kur u dha vendimi i parë i pafajësisë. Kemi humbur shumëçka përgjatë 15-20 viteve dhe nuk mund të ndihmi fitues. Çdo njeri i arsyeshëm e kupton se sa e pamundur është të ndihesh fitimtar apo i gëzuar në këto kushte. Beteja e këtyre viteve ka pasur një fitues. Ai ka qenë Sali Berisha, që, edhe kur dështon kështu, në mënyrë të turpshme, i krekosur për t’u dukur me doemos ngadhënjimtar, ngre në hava “trofeun” e një beteje tjetër, gjithashtu të humbur.

Vendimi është i rëndësishëm, sepse Saliu dështoi për ta nënshtruar përfundimisht drejtësinë. Për rrjedhojë, vendimi hap rrugë për të hetuar dhe dhënë drejtësi për krime të rënda, si: autobomba që mori katër jetë njerëzish, vrasje, grabitje etj. Kështu është ligjërisht, po a do ta lejoji Saliu hetimin?!

Vendimi e zhvlerëson edhe juridikisht investimin shumëvjeçar që Berisha bëri për të ngritur në mit një organizatë kriminale që nuk ka ekzistuar kurrë. Ajo u ngjiz në mendjen e tij dhe, më pas, u formësua në dokumente të falsifikuara për t’u përdorur kundër nesh dhe kundër kujtdo që nuk pranonte t’i nënshtrohej ose që duhej të poshtërohej.

Leart Shyti

Orik Shyti

Lexoni gjithashtu:

Orik e Leart Shyti: Rinisi fushatë për “Hakmarrjen”

KOMENTE