English

Michael Jackson, doktori Murray fajtor për vdekjen

Los Angelos, 8 nëntor 2011, NOA – Beteja dy-vjeçare mbi pikëpyetjet se kush ishte shkaku i vdekjes dramatike të mbretit të Pop-it, Michael Jackson, është zgjidhur mbrëmë me shpalljen fajtor të doktorit, që e kuronte, Conrad Murray.

Murray u gjykua si fajtor nga juria popullore e Kalifornisë, për vrasje jo në mënyrë vullnetare.

Mbreti i Pop-it vdiq në 25 qershor të 2009-ës për shkak të një injeksioni vdekjeprurës me medikamentin anestezik të quajtur Propofol.

Vendimi i jurisë së Los Angelos kundër doktor Murray u mor unanimisht, dhe ai rrezikon të dënohet me katër vjet burg.

Vendimi për dënimin do të merret në 29 nëntor.

Pas verdiktit të mbrëmshëm, doktor Murray është prangosur në sy të të gjithëve dhe është dërguar në burg.

Atij iu mohua liria me kusht.

Gjatë shpalljes së vendimit, doktor Murray nuk shfaqi asnjë emocion para të afërmve të mbretit të Pop-it, ndërkohë që, e motra e Michael Jackson, La Toya Jackson, bërtiti me zë të lartë për vendimin.

“Fitore” shpërtheu e emocionuar motra e këngëtarit, duke falenderuar trupin gjykues të Kalifornisë për gjykimin e kësaj çështjeje.

“Të gjithë ishit të mrekullueshëm”, u shpreh La Toya Jackson, ndërsa po dilte nga Gjykata e Los Angelos.

mit/NOA

KOMENTE