Tiranë, 7 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas përmbylljes së Kongresit të Partisë Socialiste mbrëmjen e të shtunës, kur më pas të 1500 delegatët e tij votuan për emrat e rinj të Asamblesë Kombëtare, programin e ri elektoral të pagëzuar me emrin “Për një Rilindje Shqiptare” dhe ndryshimet në statutin e PS-së, tashmë po vijon procesi i numërimit të votave.
Selia rozë bën me dije se për të numëruar votat për forumin më të lartë drejtues të Partisë Socialiste janë ngritur tre grupe pune, me nga shtatë anëtarë secili, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Në këto momente burime nga komisioni i ngritur pranë selisë rozë thonë se numërimi i votave vazhdon intensivisht, për përcaktimin e 120 emrave të rinj.
Ashtu siç u pa edhe në pamjet Live, salla ku zhvillohen mbledhjet e krerëve të PS-së është kthyer në një sallë numërimi votash, që të sjell ndërmend rivlerësimin e votave të hedhura gabim në zgjedhjet lokale të 8 majit, një proces zgjedhor, që hyri Live në derën e shtëpisë së çdo shqiptari.
Procesi i numërimit të votave nisi në sytë e medias, të hënën në mesditë, pas një votimi, që sipas selisë rozë, u krye me transparencë të plotë pas punimeve të Kongresit të PS-së.
Delegatët e kanë thënë mendimin e tyre me votë, se nga cilët duan të përfaqësohen në Asamblenë Kombëtare, një votim, që erdhi transparent, përmes motos “një anëtar një votë”.
Procesi i numërimit të votave për Asamblenë kombëtare të PS-së vijoi sot për shkak se e diela përkoi me festën e shenjtë të “Kurban Bajramit”.
Në përfundim të Kongresit të socialistëve, lidershipi Edi Rama do të komentonte në faqen e tij personale në Twitter se “Ky është kongresi më i bukur qëkur jam në PS. Dhe më e bukura është, që ky është vetëm fillimi!”, do të shprehej shefi i selisë rozë mbrëmjen e të shtunës.
Por, ai nuk do të linte mënjanë edhe komentet e tij për fjalimet e mbajtura gjatë kongresit.
Sipas liderit rozë fjalimi më i bukur i Kongresit të PS-së ishte ai i Spartak Ngjelës; më njerëzori ai i Pandeli Majkos; dhe më i ndjeri ishte fjalimi i Erion Braçes.
Kongresi maratonë i Partisë Socialiste, ku lidershipi i PS-së Edi Rama dhe eksponentë kyç të PS-së publikuan politikën e re të partisë më të madhe opozitare, programin e ri qeverisës të Shqipërisë me mision “Rilindjen shqiptare”, pritet të sjellë ndryshime në kursin e socialistëve, aq më tepër, kur Shqipëria ndodhet pak më shumë se një vit para mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, për të cilat lidershipi rozë thekson se do të jenë një fitore “par excelence” e Partisë Socialiste.
“Ky është fillimi i një rruge të re, për ta kthyer programin e ri në një frymë të re besimi tek njerëzit e rraskapitur nga ekonomia në krizë, drejtësia në krizë, demokracia në krizë”, deklaroi të shtunën kryetari i opozitës Edi Rama.
Por, mazhoranca e cilësoi kongresin si një terapi grupi, që lidershipi rozë ua kreu socialistëve, duke e cilësuar Edi Ramën si heroin e punës socialiste.
mit/NOA