Tiranë, 7 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani - Lideri i opozitës Edi Rama ka komentuar deklaratat më të fundit të kreut të qeverisë, bërë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Në një reagim të tij në rrjetin social Twitter, kreu i selisë rozë ka ironizuar qëndrimin e kryeministrit, lidhur me buxhetin e vitit 2012.
Rama ka ngritur pikëpyetje mbi këtë buxhet, i cilësuar nga shefi i mazhorancës si më i madhi në historinë e vendit.
“Buxheti më i madh? Po, më i madhi për interesin e borxhit, që e ka marrë Saliu, por e paguajnë shqiptarët. Të tjerat? Hukubet.”, shkruan Rama në faqen Twitter në internet. Komenti i kryesocialistit Rama mori shkas nga deklarata e Berishës se “Edhe vitin që vjen, Shqipëria do të listohet në më të paktat vende, që do të rrisin rrogat dhe pensionet. Kjo është një politikë konstante e jona, natyrisht, me një çmim të padiskutueshëm, mund t’u them vetëm kaq, se nga vjet e deri sivjet, fatura e pensioneve rritet me 80 milionë dollarë. Domethënë 80 milionë dollarë nga ky buxhet, më shumë se vitin e kaluar, për shkak të kontraktimit të rritjeve të mëparshme, do të kalojnë në fondin e pensioneve, fond, i cili është mbi dyfishuar gjatë këtyre viteve, është rritur me mbi 100 përqind, por jam i bindur se kjo është një rritje e merituar dhe përbën një domosdoshmëri të madhe”, garantoi kryeministri gjatë mbledhjes së grupit të demokratëve.
Më tej, shefi i ekzekutivit nënvizoi se “Ruajtja e treguesve makroekonomikë, në nivele të shpallura nga qeveria dhe të pranuara botërisht si nivele të shëndetshme, përbën një përparësi madhore, absolute, për ne. Ky është tipari më kryesor i të gjithë veprimtarisë ekonomike të kësaj mazhorance. Ne gjetëm një borxh 72 përqind të prodhimit të brendshëm. Ne erdhëm në pushtet, kur kreditë, huatë përdoreshin për të paguar rroga dhe pensione. Ne, në sajë të reformave ekonomike dhe funksionimit të tyre, ia kemi dalë që, duke ulur borxhin nën 60 përqind, duke mbajtur një deficit buxhetor të standardeve më të mira të vendeve të Bashkimit Europian”, u shpreh kryeministri Berisha.
mit/NOA