Prishtinë, 7 nëntor 2011 - Lëvizja Vetëvendosje pritet të thërrasë në një interpelancë ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, për t’i kërkuar rikthimin e masave të reciprocitetit me Serbinë.
Përfaqësues të Vetëvendosjes në një konferencë për shtyp, kërkuan sot që të votohet një mocion për rikthimin e masave të reciprocitetit në tregtinë me Serbinë, duke publikuar edhe listën e 25 kompanive nga Kosova, të cilat importojnë mallra nga Serbia, që prej 16 shtatorit, kur u hoqën masat e reciprocitetit me shtetin fqinj me Kosovën.
Sipas nënkryetarit të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, lista e importuesve kryesohet nga kompania Elkos, që ka për pronar deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramiz Kelmendi, citon agjencia e lajmeve NOA.al.
Sipas Vetëvendosjes kjo kompani, që prej heqjes së masave të reciprocitetit me Serbinë në 16 shtator e deri në fund të tetorit ka importuar nga Serbia një sasi malli me vlerë deri në 4 milion e 350 mijë euro.
Lista me emrat e kompanive përbëhet nga: Elkos, Potera – BB, Progresi, Malësia commerce, Coca-Cola, M&Sillosi, Bast-Trade, Migros Commerce, Buçaj, Aroma, Euro Coop, Agrounion, Termo X, Eng Office, Niti-Tiki Company, Llap-com, As Company, Exlusiv, Elita, Bleta, Dula, Vetoni, Meridian Corporation, Pagarusha dhe Gëzimi”, bënë me dije përfaqësues të Vetëvendosjes.
Vetëvendosja bën me dije se shuma e përgjithshme e mallrave të importuara nga Serbia nga të gjitha kompanitë e lartpërmendura arrin në afro 20 milionë euro.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosja akuzoi qeverinë se për këtë import të mallrave serbe, pa lënë mënjanë edhe pronarët e bizneseve kosovare.
Sipas Ymerit, biznismenët më të fuqishëm në Kosovë përmes depove të tyre kanë monopolizuar tregun me shumicë e pakicë në vend, dhe janë pikërisht këta edhe importuesit më të mëdhenj nga Serbia, që mallrat serbe i shpërndajnë në shitoret e tjera me pakicë.
Kpress/NOA