Policia ruse, ka gjetur 20 mumje në shtëpinë e një historiani lokal në qytetin Nizhni Novgorod. Ky person i kishte nxjerrë kufomat nga varret, dhe pastaj i kishte veshur me rroba të mbledhura nga varret.
Radio Evropa e Lirë raporton se një video policore e xhiruar në banesën e këtij historiani, tregon skenën rrënqethëse të trupave të veshur sikur kukulla me fustane ngjyrë të çelur me shamia. Policia thotë se historiani i kishte mumifikuar mbetjet njerëzore.
Policia ka refuzuar ta bëjë publik emrin e historianit të dyshuar, i cili ishte arrestuar javën e kaluar, por i ka publikuar fotografitë e tij, duke thënë se ai është 45 vjeçar, dhe i përshkruar si specialist i mirënjohur për historinë e qytetit Nizhni Novgorod, që është 400 kilometra në lindje të Moskës.
Mediat ruse e kanë identifikuar këtë person, si njeriun i cili konsiderohej si eksperti më i mirë për varre në Nizhni Novgorod. Emri i tij ishte Anatoly Moskvin.