Romë, 8 nëntor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Një emigrant shqiptar ka goditur me kazmë të shoqen dhe një të moshuar 77 vjeçar për të cilin e shoqja kujdesej, pasi dyshonte se kishte një lidhje mes tyre.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në një provincë të Romës, ku policia arrestoi në flagrancë për krimin, një shqiptar të moshës 59 vjeçare me akuzën për tentativë vrasje dhe dëme ndaj pronës së 77 vjeçarit, për të cilin e shoqja punonte si kujdestare.
59 vjeçari i bindur se mes së shoqes dhe të moshuarit kishte diçka më tepër se thjesht një raport pune, rreth orës 22.00 të mbrëmjes së djeshme u afrua në banesën e të moshuarit dhe nis sulmin.
I përfshirë nga xhelozia shqiptari, u sul mes disa mjeteve të punës ku rrëmbeu një kazmë, me të cilën i verbuar nga xhelozia nisi të godasë të shoqen dhe të moshuarin. Ai që u dëmtua më keq nga ky sulm ishte 77 vjeçari, i cili përveç dëmtimeve në trup, goditjen më të fuqishme dhe të plotë e kishte pësuar në kokë.
Fatmirësisht gruaja pësoi vetëm disa fraktura dhe nxirje të lehta, pasi teksa i shoqi ishte drejtuar për të goditur atë, pjesa metalike e kazmës ishte shkëputur nga pjesa e drurit duke evituar goditjet fatale.
77 vjeçari ndodhet i shtruar në spital si rrjedhojë e goditjes së marrë në ballë, e cila i ka dëmtuar në thellësi pjesën e majtë të kokës, ndërsa për gruan thuhet se do të dalë nga spitali brenda 10 ditësh.
Ngjarja në fjalë ndodhi në zonën e Nettunos në Romë, ku karabinierët ndërhynë menjëherë, ndërsa agresori kishte tentuar arratinë. Sipas policisë thuhet se për shkak të xhelozisë, i shoqi kishte kërcënuar në vijimësi gruan që të linte punën.
Shqiptari u arrestua vetëm pak çaste pas ngjarjes, ndonëse policia ndeshi në rezistencën e tij, ai u transferua në burgun e Velletri, ku pritet të qëndrojë deri sa ti jepet dënimi.
a.y/NOA