Tiranë, 9 nëntor 2011, NOA- Bashkia e Tiranës nëpërmjet zëdhënëses Anila Bisha, një ditë para mbledhjes së radhës së Këshillit Bashkiak ka shpjeguar për mediat efektet që sjellin projektet për qytetarët e Tiranës.
Nesër, Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë 7 projekte të Kryebashkiakut Basha. Këto projekte kanë të bëjnë me përpjekjet për të krijuar vende punë, për të ndërtuar një Tiranë moderne europiane, për të përmirësuar shërbimet e qytetit dhe për të përfshirë zërin e qytetarëve në qeverisje.
Sipas Bishës, në thelbin e tyre, këto projekte synojnë zgjerimin e transportit publik, kursimin e parave të qytetarëve, investim në art dhe kulturë, fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, pra, angazhimin e Kryetarit të Bashkisë, për të ndërtuar një qytet më të mirë sot dhe për brezat e ardhshëm.
Këto projekte përfshijnë:Krijimin e një linje të re autobuzi e cila do të shtrihet nga Qendra deri në Qytetin Studenti. Kjo linjë do t’u krijojë studentëve lehtësi në qarkullim dhe do të ofrojë shërbimin, në përputhje me Kartën Bashkiake të Studentit.
Projekti i dytë ka të bëjë me zyrtarizmin e procesit të hartimit të Planit Urbanistik të qytetit. Në bazë të këtij plani do të ndërtojmë një qytet më të mire, për të jetuar, punuar dhe argëtuar. Në zemër të këtij plani do të jetë përpjekja për të përmirësuar trafikun dhe parkimin, krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra për qytetarët si dhe rritjen ekonomike, duke ndarë tregun në zona dhe vendosur rregulla të ndershme për zhvillim të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Projekti tjetër ka të bëjë me krijimin e Komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re. Ky komision do të përfshijë zërin e qytetarëve, në procesin e ndërtimit të saj dhe përbëhet nga drejtuesit e Komunitetit Musliman, të institucioneve qendrore dhe vendore.
Kryetari i Bashkisë do të paraqesë dhe një projekt, për t’u siguruar qytetarëve shërbim më efiçent dhe më të mirë në kopshte e çerdhe, në parqet dhe hapësirat çlodhëse dhe në qendrat kulturore të Tiranës. Këto ndryshime do t’i kursejnë qytetarëve 1 milionë dollarë në vit dhe kjo është pjesë e angazhimit të Kryebashkiakut, për uljen e barrës fiskale, për llogaridhënie në qeverisje dhe për mbrojtjen e taksave të qytetarëve.
Gjithashtu, nesër do të paraqitet në Këshill, një projekt që ka të bëjë me fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, nga spekulimet dhe mashtrimet.
Një tjetër projekt është ai për rehabilitimin e qendrës së qytetit, pasi qendra është më shumë se sa hapësira fizike që ajo zë, është ndërlidhëse e lagjeve të ndryshme dhe është projektuar për të ndihmuar qytetarët, në jetën e tyre të përditshme.
Projekt tjetër që i propozohet nesër Këshillit, është edhe ai që ka të bëjë me krijimin e Bordit për Artin dhe Kulturën, që do të ketë si detyrë miratimin e fondeve në këtë fushë, çka do të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet. Krjimi i këtij Këshilli, është një hap përpara në premtimin e kryebashkiakut Basha, për të investuar në art dhe kulturë dhe për t’i vendosur artistët në vendin që ata meritojnë, në krye të këtij angazhimi. Në këtë këshill marrin pjesë emra të njohur të artit e kulturës si: Ali Oseku, Timo Flloko, Vikena Kamenica, Arben Skënderi, Gent Korini, Erfort Kuke, Parid Teferiqi, Genc Çocoli, Yllka Mujo, Kreshnik Tartari, Marjeta Zaçe, Miço Papadhopulli, Bujar Shehu.
a.y/NOA