Nga Preç Zogaj
Opozita zakonisht është e prirur t’i rrumbullakosë premtimet e saj. Sepse konkretësia, siç ka anët e mira, ka edhe të keqen që të zbulon para kohe dhe më shumë se sa duhet ndaj armëve të kundërshtarit. Mirëpo opozita aktuale shqiptare ka zgjedhur t’i kthejë krahët kësaj klisheje. Në fjalën e tij programore mbajtur në Kongresin e fundit të PS-së, kreu i opozitës, Edi Rama, foli hapur dhe ballazi, me shifra dhe me sentenca të qarta, për të gjitha çështjet e qeverisë së tij eventuale, deri për problemin e pazgjidhur çam, për të cilin rëndom liderit e derisotëm kanë folur me arra në gojë.
Nuk është vetëm konkretësia e reja e programit të PS-së. Është edhe parakohësia. Madje, parakohësia ka habitur me shumë se konkretësia. Zgjedhjet parlamentare normalisht do të mbahen në vitin 2013, pas rreth njëzet muajsh. Po të mos kesh dijeni për këtë fakt dhe të dëgjosh ndërkohë programin e partisë me të madhe të opozitës, vetvetiu do të mendosh se zgjedhjet janë afër. Më shumë se një program politik i zakonshëm, ky i miratuar në Kongresin e fundit të PS-së ngjan të jetë një program elektoral. Për të mos thënë një program qeverisës, që nis me sistemin e ri fiskal e përfundon me politikën e jashtme.
Mos po ndihet era e zgjedhjeve të parakohshme në horizont? Nuk e dimë! Shqipëria politike nuk e ka zakon t’i parashohë, por të përplaset me zgjedhjet e parakohshme. Ashtu siç përplaset anija e dehur me shkëmbinjtë nënujorë. Prandaj jemi këtu ku jemi. Nuk dihet, pra, a do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme, por opozita, me mendjen në vitin 2013, tregon se është gati për çdo surprizë të krizës së gjithanshme që ka mbërthyer vendin.
Gjithsesi, mos është një gjë e nxituar dalja që tani e opozitës me një program pothuajse elektoral? Mos është në kohë për zgjedhje të parakohshme dhe para kohe për zgjedhje të radhës ky program? Duke shtruar këtë mëdyshje e ndjej se rrezikojmë të imitojmë në kahun e kundërt kritizerët e deridjeshëm, që e qortonin opozitën për mungesë programi. Keq ta mbash e keq ta tregosh, i thonë kësaj. Sidoqoftë, sipas mendimit tim, programi-bazë nuk është aspak i parakohshëm. Ja, sepse.
Së pari, në një kuptim të gjerë, ky është një program alternativ, elementë të të cilit, në vartësi të gjendjes, mund t’i marrë plotësisht apo pjesërisht edhe qeveria. Në këtë rast, opozita do të tregonte se nuk vuan nga sindroma e autorësisë, ndërsa qeveria do të dëshmonte fleksibilitet dhe pragmatizëm përballë efekteve të krizës
Së dyti, vetë parakohësia është diçka krejt relative që lidhet me zakonet dhe jo me nevojat. Mendoj se ka ardhur kohë që opozita të krijojë standardin e nxjerrjes sa më herët të alternativës për zgjedhjet e ardhshme dhe jo të presë fillimin e fushatës elektorale. Ky standard i ri i jep më shumë përmbajtje funksionimit të vazhdueshëm të opozitës si alternativë e qeverisë. Nga ana tjetër, opozita dhe publiku kanë gjithë kohën e nevojshme, e para për ta popullarizuar programin e saj, i dyti për t’u njohur e familjarizuar me këtë program.
Së treti, dhe kjo është kryesorja, me gjithë diapazonin e gjerë të prioriteteve që ka kapur e trajtuar, programi-bazë nuk është ende i plotë, i kolauduar. Periudha deri në zgjedhje do të shërbejë për korrektime dhe plotësime, për gjetje dhe refleksione të reja në bazë të konsultimeve me publikun dhe zhvillimeve korente. Që tani ka dalë e domosdoshme një analizë akoma më e thellë për krizën ekonomike brenda vendit në kontekstin e krizës rajonale-botërore dhe treguesve konkrete të gjendjes së brendshme. Në Greqi, Itali dhe me gjerë kriza po shkakton lëvizje tektonike. Shqipëria, megjithëse jashtë epiqendrave të këtyre lëkundjeve, është harvallina më e dobët e vendeve ish-komuniste të rajonit. Kjo sa për shkak të borxhit shumë të lartë, aq edhe për faktin se ekonomia e saj është merkatiliste dhe fare-fare pak prodhuese. Megjithëse ekonomia është xanxare nga natyra, opozita ka përgjegjësinë të jetë sa më afër së vërtetës në lidhje me ecurinë e krizës. Ku jemi sot? Ku do të jemi pas gjashtë muajsh? Po pas një viti? Në këtë pikë gabimet duhet të jenë sa më të vogla.
Programi -bazë propozon rregullime cilësore në shpërndarjen e të ardhurave nga të njëjta burime. Në të ardhmen vëmendja do të vijë duke u fokusuar te shtimi i të ardhurave nëpërmjet politikave të punësimit dhe nxitjes së investimeve prodhuese. Vetvetiu vjen në rendin e ditës një tjetër analizë e thellë dhe profesionale: pse kanë dështuar investimet prodhuese gjatë viteve të fundit në Shqipëri? Përse kanë dështuar zonat industriale? Pse kanë ngecur nismat për investime në energjinë e rinovueshme? Janë pyetje të rënda që nuk durojnë politizime dhe propagandë boshe. Nuk mund të themi se qeveria “Berisha” nuk ka dashur. Përkundrazi, ka fakte që dëshmojnë një dashje dhe një nxitim deri në sforcim të procedurave. E megjithatë, shumica dërmuese e këtyre nismave dhe kontratave kanë mbetur në letër. Pse? Sa më të sakta përgjigjet, aq më të mëdha shanset për zhbllokimin e investimeve prodhuese të huaja dhe vendase.
Opozita duhet të mendojë që tani për skenarin e përballjes me vështirësitë e borxhit deri në shpërthimin e financave, menjëherë pas ardhjes së saj në pushtet. Ne nuk jemi Greqia, të cilën Europa, për njëmijë e një arsye, nuk e ka lënë e nuk do ta lerë të bjerë. Ne nuk do t’i gjejmë dot miliardat për t’i injektuar në ekonominë e rrënuar. Edhe pse na duhen shumë më pak se sa Greqisë. Në këto kushte, opozita duhet të mendojë dhe përcaktojë që tani disa nga rrugët për gjallërimin me cash të ekonomisë. Thënë ndryshe, duhet të ketë një përgjigje për pyetjen e thjeshtë, qe mendojnë të gjithë, por e bëjnë shumë pak vetë: Nga do të vinë paratë? E kam shkruar disa herë dhe dëshiroj ta përsëris: Koncesionet në rrugë dhe në porte janë një mundësi e pashkelur dhe e pashfrytëzuar për t’u dhënë impulse të mirëfillta punës, punësimit, shpenzimeve, qarkullimit të parasë dhe zhvillimit. Me një naivitet të pashembullt, qeveria “Berisha” ka menduar se rrugët e mëdha mund t’i ndërtojë me buxhet dhe me borxhe, duke thyer në kurriz financat e vendit për kushedi sa vite. Opozita ka një hartë të re të infrastrukturës kombëtare, me akse dhe rrugë të rejë të studiuara dhe të projektuara disa prej tyre, që shkurtojnë dyzet kilometër distancë për çdo njëqind kilometra. Opozita duhet të përgatisë që tani zgjidhje të qarta për financimin dhe ndërtimin e tyre me koncesion. Pra, pa prekur buxhetin dhe pa marrë borxhe të reja. Është e mundur.
Nuk po numëroj më se po të vazhdoj numërimin e punëve që mbeten për t’u bërë ka gjasa të themi se programi- bazë jo i parakohshëm nuk është, por mbase është pak i vonuar.
Gazeta "Shekulli"