English

Ambasada PINK: PS na diskriminoi, nuk na përfshiu në program

Tiranë, 9 nëntor 2011, NOA- Ambasada PINK, Lesbike, Gay, Biseksualë dhe Transeksualë Pro Albania ka shprehur shqetësimin e saj për mospërfshirjen e çështjeve të komunitetit LGBT në programin e ri, 92 faqësh, të Partisë Socialiste të Shqipërisë, gjë që është një tregues diskiminimi që ende vazhdon të mbizotërojë në jetën politike shqiptare.

Në qëndrimin e ambasadës PINK thuhet se, Programi i PS supozohet se është programi qeverisës për këtë parti, nëse ajo vjen në Qeveri.

“Problemet, shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e komunitetit LGBT vazhdojnë të mbeten të pashprehura dhe të paadresuara, për aq kohë sa politika vazhdon të përforcojë margjinalizimin, injorimin dhe veçimin e këtij grupi social nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Duke u njohur me këtë program dhe më konkretisht me seksionet “ripërtëritje e shoqërisë dhe “rivendosje e demokracisë” vërejmë se programi flet për përmirësimin e shërbimeve jetike të domosdoshme që të përballohen e arrihen nga të gjithë, për edukim, dituri dhe kulturë të arritshme nga të gjithë, për shërbime shëndetësore të barabarta, universale dhe solidare, kujdes për familjen, fëmijet dhe të moshuarit etj. Por programi i PS në asnjë rast nuk arrin të përmendë aksesin e këtyre shërbimeve nga komuniteti LGBT”, thuhet në qëndrimi ne ambasadës PINK.

Më tej theksohet se ndonëse Partia Socialiste mund të jetë e gatshme të bashkëpunojë me komunitetin LGBT dhe organizatat që e përfaqësojnë atë, artikulimi i çështjeve, nevojave dhe problemeve të komunitetit LGBT duhet të kenë për Partinë Socialiste të njëjtën përparësi dhe rëndësi siç kanë edhe grupet e tjera sociale të shoqërisë shqiptare, pasi e kundërta do të ishte një tregues se partia më e madhe opozitare është një parti me qëndrime homofobie dhe që punon kundër respektimit të të drejtave të njeriut.

Ambasada PINK beson se programi i Partisë Socialiste duhet që shprehimisht të përfshijë komunitetin LGBT në programin e saj elektoral dhe duhet të ofrojë zgjidhje konkrete dhe të prekshme për këtë grup social ashtu si për çdo grup tjetër të shoqërisë shqiptare.

Ambasada PINK sqaron se është e gatshme ti ofrojë Partisë Socialiste dhe të gjitha partive të tjera politike, bashkëpunimin dhe ekspertizën e saj në identifikimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për çdo problem dhe shqetësim të komunitetit që ajo përfaqëson.

a.y/NOA

KOMENTE