English

Berisha: Europa u çudit nga Rama, se shqiptarët meritonin lëvizjen e lirë

Tiranë, 8 nëntor 2011, NOA- Në njëvjetorin e liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, Kryeministri Berisha ka vlerësuar se procesi ka shkuar më së miri, ndërsa ka drejtuar gishtin e kritikës ndaj opozitës. Kreu i Qeverisë tha se, koha provoi se shqiptarët e meritonin plotësisht heqjen e vizave.

“Deklaratat e Ramës kundër liberalizimit nuk patën efekt. Europa vetëm u çudit se, si ka mundësi që ndaj këtij akti madhor ndaj shqiptarëve, një politikan në krye të opozitës bën çdo gjë për ta bllokuar atë. Shqiptarët ishin me fat sepse ky proces, ndonëse bazohej në ligje të gjithanshme, nuk bazohej në ato ligje me 3/5 e votave që mund ta bllokonte Rama”, tha Berisha gjatë një konference të posaçme për shtyp.

Sipas tij, një vit kaloi dhe qindra mijëra shqiptarë patën rastin të udhëtojnë pa viza, së pari të çmallen me njerëzit e tyre më të dashur, që si kishin takuar prej vitesh, së dyti të njihen me pasurinë mahnitë kulturore të qytetërimit perëndimor në vendet ku shkuan, ndërsa të tjerë me opsionet e studimit, biznesmenët shqiptarë lëvizin më lirë se kurrë në jetën e tyre.

Ai tha më tej se reformat kanë vazhduar me intensitet të madh në të gjitha fushat, përveç atyre 4-5 ligjeve me 3/5, që Rama i mban si plaçkë tregu, për të dënuar çdo qytetar shqiptarë me statusin e vendit kandidat. Pas vizave, kreu i qeverisë tha se prioritet mbetet procesi i integrimit në BE, i cili sipas Kryeministrit shqiptar është i pakthyeshëm.

“Qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorëShqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Por, nuk është qeveria ajo që disiplinon opozitën. Opozita është sovrane në këtë vend. Është jashtë kulturës time të bazohem në prapashkrime.

Zoti Rama e bllokoi dy vite më parë, thirri zgjedhjet lokale plebishitare dhe qeveria doli me 141 mijë vota më shumë. Rama e percepton realitetin siç e do vetë. Por, se çdo të ndodhë në 2013-ën, atë e dinë shqiptarët. Ata do të japin zgjidhjen”, tha kryeministri për gazetarët.

Lidhur me reformën zgjedhor, kreu i mazhorancës pohoi se mes PS dhe PD ka kontakte të vazhdueshme, të cilat janë të domosdoshme për çështje të rëndësishme. Ai siguroi sërish se çdo propozim i opozitës do të shqyrtohet me seriozitet.

a.y/NOA

KOMENTE